Federata e Basketbollit e Kosovës ka vendosur që një trajner me përvojë ta drejtojë Përfaqësuesen e Kosovës në basketboll.
Të hënën FBK-ja njoftoi se drejtimin e Kosovës ia ka besuar 66-vjeçarit nga Franca, Jean-Denys Choulet. Ai ka përvojë të gjatë e të suksesshme në nivel klubesh. Ka punuar kryesisht në Francë.
Choulet e zëvendëson Rami Hadarin, që dha dorëheqje javë më parë. Francezi do të debutojë më 21 nëntor në ndeshjen ndaj Zvicrës në Bernë. Ndeshja i takon raundit të parë të parakualifikimeve për Kupën e Botës 2027. Më 24 nëntor, Kosova luan në Dublin ndaj Irlandës.
Bordi i FBK-së ka vendosur që me Jean-Denys Choulet të firmosë për tre vjet.
Selektori i ri i Kosovës nga viti 2020 e deri në fund të edicionit të kaluar ishte te skuadra e elitës franceze, Chorale de Roanne. Në edicionin e kaluar kjo skuadër nuk ia doli të sigurojë mbetjen në elitë. Më herët, nga viti 2013 e deri në vitin 2020, ka drejtuar skuadrën tjetër elitare franceze, Elan Chalon.
Në edicionin 2012/13 ishte në Liban, ku drejtoi skuadrën Al Moutahed Tripoli. Te Chorale de Roanne ishte edhe prej vitit 2002 e deri në vitin 2012. Ka drejtuar edhe skuadrën Gravelines dhe disa skuadra të tjera franceze. Në një periudhë ishte edhe selektor i Kamerunit.
“Gjatë karrierës së tij arriti të fitojë dy herë kampionatin francez. Për herë të parë titullin e fitoi në vitin 2007 me Roanne e herën e dytë në vitin 2017 me Elan Chalon. Në vitin 2007 ishte shpallur edhe trajner i vitit. Ka drejtuar për shumë vjet skuadra që kanë garuar në kupat evropiane, duke pasur përvojë ndërkombëtare. Me Elan Chalon ishte finalist i FIBA Europe Cup në vitin 2017”, ka njoftuar FBK-ja.
Choulet ka përvojën e nivelit serioz evropian, por punën te Kosova pritet ta ketë goxha sfiduese. Numri i lojtarëve cilësorë kosovarë nuk është i madh. Në fakt, për të gjithë selektorët ishte sfidë grumbullimi i 12 lojtarëve cilësorë. Situata nuk është se ka ndryshuar ndërkohë dhe as që pritet të ndryshojë së shpejti. Skuadrat kosovare janë të mbushura me lojtarë të huaj dhe hapësira për vendorët është goxha e limituar. Kjo ka të bëjë me nivelin jo të kënaqshëm të lojtarëve vendorë e po ashtu edhe me qasjen e klubeve për të angazhuar shumë basketbollistë të huaj. Pasojat e kësaj i bart më së shumti Përfaqësuesja.
Kosova më 22 shkurt fitoi 83:76 ndaj Irlandës. Më 25 shkurt pësoi 87:77 nga Azerbajxhani.
Njëri prej basketbollistëve kryesorë të Kosovës, Drilon Hajrizi, është duke e marrë veten pas një operimi në vesh. Ai nuk do të luajë në ndeshjet e nëntorit. Kapiteni Dardan Berisha është kthyer vetëm në fundjavë te Peja dhe mbetet të shihet nëse do të jetë në gjendje ta udhëheqë lojën e Përfaqësueses.