Basketboll

Timberwolvesi shtyn festën e Dallasit

Anthony Edwards

Anthony Edwards

Në ndeshjen e katërt të finales së Konferencës së Perëndimit, Minnesota Timberwolves mposhti në udhëtim Dallas Mavericksin 100:105 dhe ngushtoi rezultatin e serisë në 3:1.

Pas epërsisë 3:0 në seri, Dallasi e pati shansin që ta mbyllte çështjen e fituesit para tifozëve të vet në “American Airlines Center” të mërkurën pas mesnate, por fitorja e Minnesotas shtyu festën.

Ndeshja e pestë do të luhet pas dy ditëve në Minneapolis, ku vendasit do të synojnë fitoren e dytë dhe të vazhdojnë shpresat që të bëhen skuadra e parë në histori të NBA që përmbys serinë 3:0.

Anthony Edwards e mbylli ndeshjen me 29 pikë, 10 kërcime e nëntë asistime te Timberwolvesi. Karl Anthony Towns shtoi 25 pikë, ndërsa Rudy Gobert pati 13 pikë e 10 kërcime.

Luka Donçiq vazhdoi shkëlqimin te Dallasi, duke arritur tjetër “triple-double” me 28 pikë, 15 kërcime e 10 asistime. Kyrie Irving pati 16 pikë e Daniel Gafford 12.

Në Lindje, Boston Celtics e mposhti Indiana Pacersin 4:0 për të shkuar në finalen e madhe të NBA.

VIDEO: