Basketboll

Të tjera ndeshje të rëndësishme të Kosovës, tani në basketboll

Kosova basketboll

Në javët e fundit Kosova ka pasur ndeshje të rëndësishme ndërkombëtare. Fillimisht Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll i luajti ndeshjet e para në kualifikimet e rregullta për “Euro 2024”. Më pas Përfaqësuesja e Kosovës në futboll i luajti dy ndeshjet e fundit në edicionin e katërt të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Dhe tani është koha e basketbollit.

Të enjten, prej orës 19:30 në Bernë, Kosova luan me Zvicrën. Ndeshja i takon Grupit A të raundit të parë të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2027.

Një ndeshje eventuale me Zvicrën në futboll në kualifikime do të ishte shumë e bujshme për shkak të numrit të madh të shqiptarëve në futbollin zviceran e rrjedhimisht në Përfaqësuesen helvetike. Më ndryshe  është në basketboll. Zvicra nuk ka basketbollist shqiptar në Përfaqësuese dhe ndeshja e Kosovës me këtë përfaqësuese nuk dallon nga ndeshjet me përfaqësueset e tjera. I gjithë fokusi do të jetë vetëm në basketboll.

Ndeshja vlerësohet shumë sfiduese për Kosovën.

Zvicra ka fituar dy ndeshjet e para dhe udhëheq grupin me katër pikë. Azerbajxhani e Kosova i kanë nga tri pikë, ndërsa Irlanda është e fundit me dy pikë.

Më 22 shkurt të këtij viti Kosova fitoi 83:76 ndaj Irlandës, ndërsa Zvicra e mposhti Azerbajxhanin me rezultat 72:53.

Më 25 shkurt Azerbajxhani fitoi 87:77 ndaj Kosovës, ndërsa Zvicra  e mposhti Irlandën në Dublin me rezultat 86:63.

Te Kosova do të debutojë selektori i ri, francezi me përvojë, Jean-Denys Choulet. Basketbollistët i kanë nisur me kohë përgatitjet për ndeshjen me Zvicrën dhe atë me Irlandën, që zhvillohet në Dublin më 24 nëntor. Mungesë e madhe për Kosovën do të jetë Drilon Hajrizi, njëri prej lojtarëve kryesorë të Përfaqësueses. Ai muaj më i parë i është nënshtruar një ndërhyrjeje në vesh dhe ende po e merr veten.

Në Përfaqësuese ka optimizëm për sukses. Kosovës i duhen fitoret për të shpresuar në avancim. Në raundin e dytë kalon përfaqësuesja që e fiton grupin, si dhe përfaqësuesja më e mirë e vendit të dytë prej tri grupeve sa janë gjithsej.

Në këto dy ndeshje pritet kontribut i madh nga Dardan Kapiti, qendra e Trepçës. Ai po ka hapësirë gjithnjë e më të madhe në ekipin mitrovicas, ndërsa është i rëndësishëm edhe te Kosova.

“Çdo gjë ka shkuar mirë. Në ekip atmosfera është shumë e mirë. Prej selektorit të ri kemi mësuar shumë gjëra të mira dhe jemi të përgatitur maksimalisht për dy ndeshjet e ardhshme. Presim përkrahje edhe nga bashkatdhetarët tanë”, ka thënë Kapiti.

Shumica e lojtarëve të ftuar janë të klubeve të vendit. I vetmi që luan jashtë Kosovës është amerikani i natyralizuar, Dominic Artis. Ai bën karrierë te Strasbourgu në Francë dhe kthehet pas mungesës në ndeshjet e muajit shkurt. Pritjet prej Artisit janë të mëdha.

“Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë. Shpresojmë për përkrahje në Zvicër, duke ditur sa shumë shqiptarë ka në këtë vend. Udhëtojmë për fitore në të dy ndeshjet. Jemi përgatitur maksimalisht dhe shpresojmë të dalim triumfues”, ka thënë qendra Lis Shoshi.

Kosova e Zvicra janë përballur edhe në verën e kaluar, në kuadër të raundit të tretë të parakualifikimeve për “Eurobasket 2025”. Në Prizren, më 19 korrik 2023, Kosova kishte fituar 76:49. Më 29 korrik të vitit 2023 në Fribourg, Kosova kishte fituar 76:72. Kosova, megjithatë, nuk kishte avancuar në kualifikimet e rregullta ndonëse i kishte dy mundësi.

Dhe derisa Kosova luan ndeshje të raundit të parë parakualifikues për Kupën e Botës 2027, shumica e përfaqësueseve evropiane këtë javë kanë ndeshje të kualifikimeve të rregullta për “Eurobasket 2025”.

Në parakualifikime janë vetëm Kosova, Zvicra, Azerbajxhani, Irlanda, Luksemburgu, Norvegjia, Rumania, Armenia, Austria dhe Shqipëria.