Alesh Pipan është trajner i ri i Golden Eagle Yllit. 65-vjeçari Pipan është nga Sllovenia, ndërsa ka karrierë të pasur. Vlerësohet prej trajnerëve më të mirë të basketbollit në Slloveni.
Karrierën e ka nisur që në vitin 1993 te Maribori. Më pas ka drejtuar Lashkon, Krkan, Zagorjen e Slovanin në Slloveni. Në vitin 2007 mori drejtimin e Anwil Wloclawekut në Poloni, për t’u kthyer më pas te Zlatorog Lashko një vit më pas. Ka udhëhequr edhe Zarën në Kroaci, MZT-në në Maqedoni të Veriut, Union Olimpijan në Slloveni, Budapestin në Hungari e Shentjurin në Slloveni.
Së fundi ishte te Zlatorog Lashko në edicionin 2022/2023. Këtë skuadër e ka udhëhequr në katër periudha të ndryshme, Zarën në dy periudha e po ashtu MZT-në. Pra është vlerësuar në klubet ku ka punuar.
I ka dy tituj të Maqedonisë së Veriut, një kupë të Sllovenisë, një kupë dhe një Superkupë në Poloni dhe një Kupë të Maqedonisë së Veriut.
Ka karrierë të suksesshme edhe si selektor. Ka drejtuar Slloveninë nga viti 2004 deri në vitin 2008. Prej vitit 2010 deri në vitin 2013 e udhëhoqi Poloninë, ndërsa të njëjtin vit e udhëhoqi edhe Maqedoninë e Veriut.
Rrjedhimisht është prej emrave të mëdhenj që merr drejtimin e një klubi kosovar.
Ylli i Suharekës është vetëm në pozitën e gjashtë të Superligës së Kosovës në basketboll. I ka 24 pikë, dy më pak se Vëllaznimi i vendit të pestë dhe dy më shumë se Bora e vendit të shtatë.
Yllin në fillim të edicionit e udhëhoqi amerikani Casey Ovens. Ai më pas u zëvendësua nga Endrit Elshani.
Suharekasit presin shumë nga trajneri i ri.
“I njohur për strategjitë e tij të shkëlqyera dhe aftësinë për të zhvilluar ekipe fitimtare, Pipan sjell me vete një përvojë të jashtëzakonshme dhe një frymë të pathyeshme fitoreje. Filozofia e tij e bazuar në disiplinë dhe bashkëpunim na jep besim të plotë se ai do të jetë udhëheqësi i duhur për ekipin tonë. Le t’i urojmë mirëseardhjen një prej mendjeve më të mëdha të basketbollit dhe të bëhemi gati për një sezon të paharrueshëm”, ka shkruar Ylli.
Golden Eagle Ylli ndeshjen e ardhshme e ka menjëherë të mërkurën nga ora 18:30. Në kuadër të xhiros së 18-të takohet me Pejën në palestrën “Karagaçi”.