Basketboll

Shumë rikthime në listën e përzgjedhësit Choulet

dARDAN Berisha

Katër basketbollistë janë rikthyer te Përfaqësuesja e Kosovës për dy ndeshjet parakualifikuese të Kupës së Botës 2027, pas mungesës në grumbullimin e fundit.

Kosova më 20 dhe 23 shkurt do t’i zhvillojë dy ballafaqimet e fundit në kuadër të parakualifikimeve për Botërorin 2027.

Ndeshjet i luan ndaj Azerbajxhanit dhe Zvicrës, që të dyja në “Pallatin e Rinisë dhe Sportit” në Prishtinë, nga ora 19:30.

Kosova aktualisht në Grupin A zë vendin e fundit me pesë pikë, sa ka edhe Azerbajxhani në vendin e tretë.

Të dyja kanë nga një fitore e tri disfata.

Grupit me tetë pikë i prinë Zvicra me katër fitore nga po aq ndeshje, ndërsa Irlanda me dy fitore e dy humbje, ka gjashtë pikë në vendin e dytë.

Kosova fitoi ndaj Irlandës 83:76, kurse humbjet i pësoi nga Azerbajxhani 87:77, Zvicra 75:43 dhe nga Irlanda 91:85.

Në listën e publikuar të shtunën nga përzgjedhësi francez Jean-Denys Choulet, janë rikthyer Divine Myles, Drilon Hajrizi, Valon Bunjaku dhe Musab Mala, të cilët munguan për shkak të lëndimeve.

Përzgjedhësi Choulet ka ftuar 14 basketbollistë në listën e gjerë, ndërsa nga lista e kaluar, mungon Erjon Kastrati, basketbollist i Trepçës. Kastrati është i lënduar.

Të ftuar janë edhe Dardan Berisha, Mikaile Tmushiq, Jon Ismajli, Meriton Ismaili, Arian Qallaku, Rron Ukaj, Muhamedali Janjeva, Dardan Kapiti, Lis Shoshi e Gëzim Morina. 

Grumbullimi i parë i Kosovës për dy ndeshjet e fundit të Grupit A parakualifikues, do të jetë të dielën në mbrëmje në “Pallatin e Rinisë dhe Sportit” në Prishtinë.

Nga tri grupet e këtij raundi parakualifikues, avancojnë tutje fituesit dhe vendi i dytë më i mirë.

Ka pasur kritika të shumta në lidhje me paraqitjen e “Dardanëve” në katër ndeshjet e para.