Basketboll

Sigal Prishtina fiton ndeshjen e dytë të serisë gjysmëfinale

Sigal Prishtina

(E përditësuar) - Sigal Prishtina e ka fituar ndeshjen e dytë të gjysmëfinales së plejofit ndaj Trepçës të mërkurën mbrëma me rezultat 90:83, pas vazhdimit prej pesë minutash. Koha e rregullt e ndeshjes dramatike, që u zhvillua në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, përfundoi baras 77:77.

Por në vazhdimin prej pesë minutash, Prishtina doli fituese dhe kështu barazoi 1:1 serinë gjysmëfinale të plejofit.  

Prishtina e kishte humbur ndeshjen e parë gjysmëfinale të shtunën në palestrën e stërmbushur “Minatori” në Mitrovicë me rezultat 80:65, por të mërkurën fitoi ndaj Trepçes.

Trepça e fitoi çerekun e parë 23:13, ndërsa i humbi çerekun e dytë 23:18 dhe tretë 2014, si dhe pesëminutëshin e vazhdimeve 13:6. Çereku i katërt i takoi Trepçës 22:21. Por në fund, Prishtina fitoi ndeshjen me shtatë pikë dallim.

Ndeshja ishte me shumë rivalitet në parket. 

Te Sigal Prishtina me lojë të mirë u shqua Jordan Davis me 23 pikë, shtatë kërcime e katër asistime. Rashid Mahalbashiq shënoi 15 pikë, nëntë kërcime e tri asistime, kurse kapiteni Fisnik Rugova dhe Donat Clark shënuan nga shtatë pikë. 

Tekele Cotton ishte më i miri te Trepça me 19 pikë, nëntë kërcime e shtatë asistime.

Mikaile Tmushiq shënoi 17 pikë, ndërsa pati edhe pesë kërcime. Sammy Hunter realizoi gjashtë pikë, tre kërcime e dy asistime.

Sigal Prishtina, që përfundoi e treta në stinorin e rregullt, në gjysmëfinale arriti pas fitores ndaj Vëllaznimit 2:1. Ndërkohë, Trepça ishte e dyta dhe e nisi garën e plejofit nga gjysmëfinalja. 

Trepça i kishte humbur tri prej katër ndeshjeve kampionale të edicionit aktual nga Sigal Prishtina. Ndeshja e tretë luhet në Mitrovicë të shtunën.

Ndërkohë, të enjten zhvillohet ndeshja e dytë gjysmëfinale ndërmjet Pejës dhe Bashkimit. Ndeshja luhet në “Karagaçi” në Pejë. Prizrenasit e fituan bindshëm gjysmëfinalen e parë të pljeofit të Superligës së Kosovës në basketboll. Të dielën në “Sezai Surroi”, Bashkimi e mposhti Pejën me rezultatin 81:61. 

Bashkimi stinorin e rregullt e përfundoi në pozitën e parë dhe në çerekfinale ishte i lirë. Ndërkohë Peja në çerekfinale të plejofit, pejanët eliminuan skuadrën nga Suhareka, Golden Eagle Ylli. Ndaj Yllit, Peja fitoi me rezultatin 2:1, ndonëse suharekasit e kishin përparësinë e terrenit vendës.

Për kalim në finale duhen tri fitore.


Shkon në vazhdime gjysmëfinalja e dytë Prishtina – Trepça

Ka shkuar në vazhdime gjysmëfinalja e dytë e plejofit të Superligës së Kosovës në basketboll ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Trepçës. 

Koha e rregullt e ndeshjes që po luhet në Prishtinë, përfundoi baras 77:77.

Ndeshjen e parë gjysmëfinale të shtunën në palestrën e stërmbushur “Minatori” në Mitrovicë, Trepça e fitoi me rezultat 80:65.