Liga Unike, gara e klubeve të basketbollistëve nga Kosova e Shqipëria, kishte nisur me shumë bujë. Ngadalë kishte humbur shkëlqimin dhe ishte ndërprerë në nëntor të vitit 2022. Muaj më parë pati iniciativë për riaktivizimin e Ligës Unike dhe kjo tashmë po realizohet.
Prej të mërkurës deri të dielën në Vlorë mbahet “Final 8” i Ligës Unike. Paraqiten katër skuadrat më të mira nga Kosova dhe katër më të mirat nga Shqipëria. Do të luhen katër çerekfinale, dy gjysmëfinale, ndeshja për vend të tretë dhe finalja.
Drejtuesit e Ligës Unike kanë vendosur që në çerekfinale të përballen skuadrat nga Kosova dhe ato nga Shqipëria. Niveli i basketbollit në Kosovës vlerësohet të jetë më i lartë dhe kjo pritet të konfirmohet të mërkurën e të enjten.
Çerekfinalja e parë është të mërkurën prej orës 16:00 mes Trepçës e Kamzës. Tirana Neptun e Golden Eagle Ylli luajnë prej orës 19:00, po të mërkurën. Peja – Teuta është çerekfinalja e tretë, që zhvillohet të enjten prej orës 16:00. Të enjten prej orës 19:00 është takimi Besëlidhja – Sigal Prishtina.
Të premten janë gjysmëfinalet, ndërsa të dielën janë ndeshja për vend të tretë dhe finalja.
Në gjysmëfinalen e parë takohen fituesi i ndeshjes Peja – Teuta me fituesin e ndeshjet Tirana – Ylli. Fituesit e ndeshjeve Trepça – Kamza dhe Besëlidhja – Prishtina takohen në gjysmëfinalen e dytë.
Trepça është në seri prej 20 fitoreve në Superligën e Kosovës dhe vlerësohet favorite për triumf në Ligën Unike.
“Në qytetin e bukur bregdetar udhëtojmë të frymëzuar nga seria prej 20 fitoreve kampionale dhe suksesi në Kupën e Kosovës. Do të paraqitemi në Ligën Unike, garën që mision fisnik e ka edhe bashkimin e shqiptarëve. Fillojmë të mërkurën prej orës 16:00 me ndeshjen çerekfinale ndaj Kamzës. Synojmë suksesin në këtë aktivitet, pa larguar fokusin nga qëllimi i madh”, ka shkruar Trepça.
Liga Unike kishte nisur në prill të vitit 2021. Edicioni i parë ishte mbajtur në formë turneu, njëjtë si ky tani, ndërsa kishte triumfuar Ylli.
Edicioni i dytë, 2021/2022, ishte ligë e rregullt me 14 xhiro e më pas plejofi. Kishte triumfuar Peja. Edicioni i tretë, 2022/2023 ishte pezulluar e më pas nuk kishte vazhduar.
“Deri te ky vendim Bordi Drejtues i Ligës Unike ka ardhur pas takimit disa orësh me klubet shqiptare sot në Tiranë në prani edhe të dy presidentëve të Federatave themeluese të kësaj lige. Për shkak të tërheqjes së dy ekipeve nga Shqipëria, Tiranës dhe Teutës është i pamundur vazhdimi i garës në formatin e paraparë, prandaj Bordi Drejtues i Ligës Unike ka marrë vendim pezullimin e garës dhe do të vlerësojë opsionet e ristrukturimit të saj”, shkruante në një vendim të Ligës Unike, të 18 nëntorit të vitit 2022.
Ndërkohë te basketbollistet, Liga Unike ka vazhduar. Paraqiten gjashtë skuadra, tri nga Kosova e tri nga Shqipëria. Të mërkurën është ndeshja e fundit e stinorit të rregullt mes Bashkimit të Prizrenit dhe Penzës së Pejës. Stinori i rregull i ka dhjetë xhiro e më pas zhvillohet turneu final. Në “Final 4” që është caktuar të mbahet në Prishtinë më 1 e 2 prill, do të paraqiten Bashkimi, Prishtina, Tirana dhe Penza. Kampion në fuqi i Ligës Unike te basketbollistet është Partizani i Tiranës.