Kampionia në fuqi e Kosovës në basketboll, Peja, do ta ketë edhe më të vështirë kalimin në finale të plejofit. Pos që e ka humbur ndeshjen e parë gjysmëfinale me Golden Eagle Yllin, Peja dy ndeshjet e ardhshme si vendase do t’i zhvillojë pa praninë e shikuesve.
Pra nëse seria gjysmëfinale shkon në pesë ndeshje, Peja dy ndeshjet e mbetura në “Karagaçi” do t’i ketë pa shikues.
Peja është dënuar të martën nga Komisioni i Garave i FBK-së, që drejtohet nga Armend Hamiti.
Dënimi më i rëndë për Pejën është 5000 euro dhe dy ndeshje pa spektatorë. Peja është dënuar pasi “1:54 minuta pa përfunduar çereku i katërt i ndeshjes së parë me Yllin, ka pasur hedhje të gjësendeve të forta në fushë si shkrepëse e shkopinj të daulles. Në ballë me një gjësend të paidentifikuar është goditur lojtari i Yllit, Alonzo Verge Jr. Ai ka pësuar lëndime të lehta dhe gjyqtarët morën vendim për të zbrazur pjesën e tribunës prapa koshit, prej nga kishte hedhje të gjësendeve”.
Pika 51.23 e propozicioneve të garave parasheh gjobë prej 5000 euro dhe dy ndeshje pa shikues “për shkaktim të lëndimeve të lehta ndaj lojtarëve, zyrtarëve, gjyqtarëve apo vëzhguesve nga hedhjet e gjësendeve në fushën e lojës”. Dhe në bazë të kësaj pike u dënua klubi pejan.
Ky nuk ishte dënimi i vetëm i shqiptuar për ndeshjet e para gjysmëfinale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll.
Trajneri i Pejës, Rami Hadar është dënuar me 300 euro. Lojtarët e Yllit, Nate Grimes dhe Alonzo Verge Jr janë gjobitur me nga 100 euro, njëjtë si Malcolm Armstead i Prishtinës.
Ndërkohë Trepça është gjobitur me 1200 euro. Në ndeshjen Trepça – Sigal Prishtina kishte fyerje në kor ndaj lojtarit Dardan Berisha dhe hedhje të gjësendeve të forta në fushën e lojës.
Ylli të shtunën e mposhti Pejën me rezultat 87:84. Dy arbitra të huaj dhe një i vendit e drejtuan atë ndeshje.
Të dielën, Trepça fitoi ndaj Sigal Prishtinës me rezultat 87:81. Dy arbitrat e huaj, përkatësisht Gintaras Vitkauskas i Lituanisë dhe Yener Yilmaz i Turqisë, ishin të angazhuar edhe në ndeshjen në Mitrovicë.
Ndeshjet e dyta gjysmëfinale janë në mesjavë.