Basketboll

Prishtinës i rritet motivi pas fitores ndaj Trepçës

KB PRishtina

Fisnik Rugova të mërkurën mbrëma zhvilloi njërën prej ndeshjeve më të mira deri tash këtë edicion.

Kapiteni i Sigal Prishtinës ishte më efikasi sa u përket lojtarëve vendorë në gjysmëfinalen e dytë të plejofit të Superligës në basketboll ndaj Trepçës.

Në fitoren e Prishtinës ndaj Trepçës, Rugova pati indeksin 12, pasi realizoi gjashtë pikë, katër kërcime e një asistim. Prishtina e fitoi ndeshjen e dytë gjysmëfinale me rezultat 90:83 pas vazhdimit prej pesë minutash. Rugova në parket për ekipin e kaltër u paraqit 22 minuta e 20 sekonda. Seria gjysmëfinale ndërmjet dy rivalëve të vjetër të basketbollit është 1:1. Ndeshja e tretë luhet të shtunën në “Minatori” në Mitrovicë. Trepça është vendëse. Por Rugova thotë se Prishtina do të udhëtojë e motivuar në Mitrovicë.

“Pas fitores së mbrëmshme besoj fuqishëm se do të luftojmë deri në fund ta kthejmë titullin në Prishtinë”, ka thënë Rugova për KOHËN të enjten.

Prishtina e kishte fituar në vitin 2019 për herë të fundit titullin e kampionit.

Trepça është kampione në fuqi, ndërsa këtë edicion ka fituar edhe Kupën dhe Superkupën e Kosovës. Por Rugova beson se Prishtina mund t’i gëzohet titullit të 15-të në histori.

“Shpresoj t’ia arrijmë qëllimit dhe si kapiten do të ishte emocion i veçantë të fitojmë titullin e kampionit. Do të jap maksimumin për të ndihmuar ekipin”, është shprehur Rugova. “Objektivi i klubit gjithmonë është titulli. Kemi një grup të mirë lojtarësh dhe sigurisht që ardhja e trajnerit të ri është forcë për ne për të luftuar deri në fund”.

Dora e trajnerit spanjoll, Olmos, është vërejtur tashmë. Por Olmos ka lënë të kuptohet se fundi i garës për titull është ende shumë larg.

“Në pjesën e dytë luajtëm me më shumë energji. U përballëm me një ekip shumë të mirë. Nuk ka qenë e nevojshme të luajmë në vazhdime, por ndodhi. Në fund të fundit, fituam në shtëpi, rezultati tani është 1:1. Atmosfera ishte e mirë. Tani duhet të rikuperohemi dhe të mendojmë për të shtunën. Tani jemi me mentalitet të mirë për të luajtur në ndeshjen e radhës”, ka thënë Olmos.

Ai ka vlerësuar karakterin e ekipit.

“Ka të bëjë me energjinë. Ne do të bëjmë disa përmirësime në disa detaje. E kemi karakterin, pavarësisht se a luajmë në shtëpi apo jashtë. Jemi të barabartë në lojë, por duhet ta shfrytëzojmë rastin që na jepet. Duhet të bëjmë disa përmirësime në fazën e mbrojtjes dhe të luajmë më shpejt me topin për të qenë në pozita më të mira për gjuajtje”, ka shtuar Olmos.

Nga gjysmëfinalja në finale kalohet me tri fitore. Pra, maksimalisht mund të jenë pesë ndeshje dhe kjo ka gjasa të mëdha të ndodhë.