Kroati Henrik Shirko udhëhoqi të dielën mbrëma Sigal Prishtinën drejt fitores ndaj Vëllaznimit të Gjakovës, 72:64.
Kështu skuadra e kaltër bëri hapin e parë drejt gjysmëfinales së plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll.
Ndeshja e dytë zhvillohet menjëherë të martën mbrëma në Gjakovë (20:00). Me fitore eventuale, Prishtina kalon në gjysmëfinale të plejofit, ku do të takohej me Trepçën.
Në rast të fitores së Vëllaznimit zhvillohet ndeshja e tretë çerekfinale, sërish në Prishtinë.
Pas ndeshjes së të martës mbrëma ndaj Vëllaznimit në Gjakovë, Prishtina e kthen gjithë fokusin te Liga Ballkanike.
Të premten në Qipro, Prishtina e luan ndeshjen gjysmëfinale të Ligës Ballkanike. Përballë do ta ketë Lovqenin e Malit të Zi. Në gjysmëfinalen tjetër takohen AEL-i qipriot dhe Peja.
Në "Final 4" të Ligës Ballkanike, Prishtina paraqitet si fituese e stinorit të rregullt. Vendin e parë e siguroi të premten me fitoren e vështirë ndaj Pejës. Kishte bilanc prej gjashtë fitoresh e dy humbjesh. Nga pesë fitore e tri humbje i kishin AEL-i e Peja, kurse bilanci i Lovqenit ishte katër fitore e katër humbje.
Prishtina po ka ndeshje shpesh, por tashmë po duket në pozitë të mirë para ndeshjeve vendimtare.
"Jemi 1:0 dhe të martën luajmë në udhëtim. E kemi përballë ekipin me të cilin të gjitha ndeshjet i kanë vendosur një apo dy topa. Herë fiton Vëllaznimi e herë ne. Na pret ndeshje e vështirë para tifozëve gjakovarë, por duhet të japim krejt çka kemi dhe kush paraqitet më mirë le të fitojë", ka thënë Shirko të hënën për KOHËN.
Në ndeshjen e së dielës Shirko ishte më i dalluari te Prishtina. Takimin e përfundoi me 18 pikë, tri kërcime e tri asistime.
Vëllaznimi ka mposhtur Prishtinën në ndeshjen e kaluar në Gjakovë, në xhiron e fundit të stinorit të rregullt. Shirko dhe lojtarët e tjerë të Prishtinës e dinë që i pret tjetër udhëtim i vështirë.
"Pas ndeshjes në Gjakovë i kthehemi Ligës Ballkanike. Të premten është gjysmëfinalja me Lovqenin, ku luan ish-bashkëlojtari im Lopiçiq. Me fitore sigurojmë finalen e së dielës. Kemi një minus për shkak të mungesës së Dardan Berishës e Derrick Wilsonit. Por të dy kthehen shumë shpejt. Kështu do të jetë më e lehtë për ne me kaq shumë ndeshje për periudhë të shkurtër. Synimet gjithnjë janë të njëjta - ta fitojmë ndeshjen që është në radhë", ka shtuar kroati Shirko.
Liga Ballkanike në fakt ishte shumë e zbehtë. Mezi u bënë pesë skuadra. Jashtë turneut përfundimtar "Final 4" ka mbetur vetëm Plevla e Malit të Zi.
Para udhëtimit për në Qipro, Prishtinën megjithatë e pret ndeshje sfiduese në Gjakovë.
Te Vëllaznimi janë të përkushtuar ta dërgojnë serinë çerekfinale në ndeshjen e tretë.
"Pas një sezoni fantastik nga ekipi ynë, me plot 13 fitore, erdhi koha për të cilën jetojmë të gjithë – plejofi në Gjakovë.
Në ndeshjen e parë pësuam humbje dhe ekipi ka punuar duke nxjerrë aspektet që duhet përmirësuar. Prishtinën e kemi mposhtur dy herë në Gjakovë këtë sezon dhe tani është koha për fitoren e tretë dhe për të barazuar serinë çerekfinale.
Serinë mund ta barazojmë vetëm bashkë. Andaj secili prej jush i duhet klubit në këtë moment përcaktues, secili prej jush është lojtari i gjashtë", ka shkruar Vëllaznimi në thirrjen për tifozët.