Basketboll

Prishtina e Peja kërkojnë gjysmëfinalen, Vëllaznimi e Ylli ndeshjet e treta

basketboll

Sigal Prishtina vetëm në aksionet e fundit e siguroi fitoren e vështirë ndaj Vëllaznimit. Të mërkurën në kryeqytet, Prishtina fitoi 71:69, ndërsa gjakovarët e kishin gjuajtjen e fundit për tri pikë e po ashtu epërsi prej katër pikëve pak para fundit. Por Vëllaznimit i kushtuan disa topa të humbur rresht në dy minutat final.

Tani Prishtina kërkon tjetër fitore ndaj gjakovarëve për të bërë vend në gjysmëfinale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll.

Ndeshja e dytë e serisë çerekfinale mes Vëllaznimit e Prishtinës zhvillohet të shtunën nga ora 19:00 në palestrën “Shani Nushi”, në Gjakovë. Çerekfinalja kalohet me dy fitore. Ndeshja e tretë eventuale, nëse Vëllaznimi fiton të shtunën në shtëpi, luhet të mërkurën e ardhshme në Prishtinë.

Te Prishtina në ndeshjen e kaluar debutoi trajneri me përvojë, spanjolli Paco Olmos. Ai erdhi së bashku me ndihmësin Facundo Murias. Kjo dyshe nisi me fitore, por shumë të vështirë. “Dora” e Olmos në ekip mund të vërehet në ndeshjen e ardhshme.

Te Vëllaznimi presin përkrahje të madhe nga tribunat. Skuadra gjakovare kishte mposhtur Prishtinën në finale të Ligës Unike, ndërsa ndeshjen e së shtunës mbrëma gjakovarët e vlerësojnë më të rëndësishmen e gjithë edicionit.

“Në tribuna rikthehen ‘Kuqezinjtë e Jakovës’, zemra e klubit dhe krenaria e qytetit. Zëri, duartrokitjet dhe mbështetja juaj janë forca që e bëjnë këtë ekip të luftojë deri në fund. Ekipi ka nevojë për përkrahjen e krejt Gjakovës, sepse kur bashkohemi, jemi të pathyeshëm”, ka shkruar Vëllaznimi në ftesën për shikuesit.

Çerekfinalja tjetër vë përballë Pejën e Golden Eagle Yllin. Kjo ndeshje zhvillohet të dielën nga ora 19:00 në palestrën “Karagaçi”. Ndeshja e parë u zhvillua të enjten në Suharekë, ndërsa u përcoll me incidente. Pati një ndërprerje shumë të gjatë, kurse fitore shënoi Peja me rezultat 77:71.

Rrjedhimisht Peja është në pozitë të mirë për të siguruar gjysmëfinalen. Ndeshjen e dytë e luan para tifozëve të saj. Ylli ishte në seri prej shtatë fitoreve në kampionat. Gjatë kësaj serie i mposhti të gjitha skuadrat e tjera të plejofit, por të enjten e humbi përparësinë e terrenit vendas. Yllit i duhet fitorja në “Karagaçi”, që pritet të jetë plot me shikues, për të siguruar ndeshjen e tretë, që do të zhvillohej të enjten e ardhshme në Suharekë.

Në gjysmëfinale presin Bashkimi e Trepça. Bashkimi do të takohet me Pejën apo Yllin, ndërsa Trepça me Prishtinën apo Vëllaznimin. Fundi i garës për titull është shumë larg.