Basketboll

Peja synon ta barazojë rezultatin e gjysmëfinales

KB Peja

Me plot 20 pikë dallim e fitoi Bashkimi gjysmëfinalen e parë të plejofit të Superligës së Kosovës në basketboll. Të dielën në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, skuadra e Pejës ishte pa gjasa. Bashkimi fitoi në fund me shifrat 81:61 për festë të zjarrtë të tifozëve prizrenas që kishin mbushur palestrën.

Por ndryshe mund të jetë të enjten mbrëma në palestrën “Karagaçi”, në Pejë. Skuadra e verdhë pret përkrahje të madhe nga tribunat dhe barazim të rezultatit në 1:1 në serinë gjysmëfinale të plejofit. Kjo do të bënte që në gjysmëfinale të luhen të paktën edhe dy ndeshje të tjera. Gjysmëfinalja zhvillohet deri në tri fitore. Ndeshja e pestë eventuale do të luhet në Prizren.

Si i pari pas stinorit të rregullt, Bashkimi kaloi  direkt në gjysmëfinale të plejofit. Peja në stinorin e rregullt ishte vetëm e pesta. Në çerekfinale të plejofit e kaloi Golden Eagle Yllin. Pejanët kishin fituar dy ndeshjet në Suharekë, të parën e të tretën, ndërsa kishin humbur në shtëpi.

Tani synojnë “skenar” tjetër – të fitojnë në shtëpi. Fitorja e mban në lojë Pejën për kalim në finale. Humbja do të bënte që Bashkimi të jetë fare pranë suksesit të madh.

“Natyrisht që besojmë dhe shpresojmë që në ndeshjen e dytë të jemi më të koncentruar dhe plotësisht të gatshëm për lojë. Mendoj se me përkrahjen e tifozëve do të kemi fytyrë krejt tjetër”, ka thënë fundori Arti Hajdari. Ai është prej lojtarëve të rëndësishëm të Pejës.

Fakti se gjysmëfinalja zhvillohet deri në tri fitore i mban skuadrat më gjatë në lojë.

“Asgjë nuk është vendosur. Nuk vendos një apo dy ndeshje në këtë seri. Do të jetë seri e gjatë. Jemi përgatitur maksimalisht për ndeshjen e dytë, që të barazojmë rezultatin. Kështu çdo gjë do të ishte fillim i ri”, ka shtuar Hajdari.

Ndërkohë prizrenasit udhëtojnë në Pejë për të bërë hap të madh drejt finales. 

Ndeshja e tretë mes këtyre dy skuadrave është të dielën në Prizren. Në gjysmëfinalen tjetër të plejofit po përballen Trepça e Sigal Prishtina.