Basketboll

Peja i luan në Greqi dy ndeshjet me ekipin ku paraqitet basketbollisti provokues nga Serbia

KB Peja

Në Maroussi, në afërsi të Athinës, të martën prej orës 19:30 luhet ndeshja mes skuadrës greke të basketbollit Marousi dhe skuadrës kosovare Peja. 

Është ndeshja e parë e raundit kualifikues të FIBA Europe Cup. Raundi kualifikues zhvillohet në dy ndeshje, ndërsa shumica e skuadrave njërën ndeshje e luajnë në shtëpi e tjetrën në udhëtim. Ndeshja në shtëpi vlerësohet përparësi e madhe. 

Por Peja në Maroussi do ta luajë edhe ndeshjen e dytë, të enjten nga ora 19:30. Zyrtarisht klubi pejan ka njoftuar se ka vendosur që dy ndeshjet t’i luajë në Greqi për shkak të telasheve që i ka palestra “Karagaçi”. Njëjtë ka njoftuar edhe Federata e Basketbollit e Kosovës, të hënën.

“Të dy ndeshjet luhen në Greqi për arsye se palestra ‘Karagaçi’ nuk i përmbush më kriteret elementare për zhvillimin e ndeshjeve në FIBA Europe Cup, duke filluar nga semafori e tutje. Këto nuk janë investime që mund t’i përfundojmë ne si klub, sepse kanë kosto të madhe. Jemi duke pritur me muaj që të rregullohet semafori, por ende nuk është rregulluar”,  ka shkruar Peja në rrjetet sociale ditë më parë.

Ka pasur pyetje nga tifozët se pse Peja nuk ka luajtur në ndonjë palestër tjetër kosovare, por vendosi për dy ndeshjet në Greqi. Kjo nuk është plotësisht e qartë.

Lajmin se dy ndeshjet do të luhen në Maroussi, mediat greke e kishin dhënë që më 16 gusht. Dhe atëherë nuk është ditur se cila do të jetë gjendja e palestrës “Karagaçi” në ditët e fundit të shtatorit.
Pjesë e Maroussit është basketbollisti serb, Miroslav Radulica, i njohur për qëndrimet anti-Kosovë dhe antishqiptare. Në një postim të klubit Marousi në “Instagram”, përmes të cilit ishte paraqitur ekipi për edicionin e ri, Radulica kishte bërë komentin provokues: “Kosovo and Metohija, Serbia”.

Shumë shqiptarë i ishin përgjigjur Radulicës në postimin provokues. Për këtë kishin shkruar mediat greke e më pas edhe mediat serbe.

Dy ditë pas komentit të basketbollistit serb u dha lajmi se Radulica nuk do të udhëtojë për në Kosovë pasi dy ndeshjet do të luhen në Greqi.

“Dy ndeshjet do të luhen në ‘Agios Thomas’, kështu që Maroussi do të shmangë situatat e pakëndshme dhe tensionin që mund të krijohet”, kishte shkruar “sport24.gr” që më 16 gusht. Madje ishin paraqitur edhe datat e sakta të ndeshjes.

Federata e Basketbollit e Kosovës nuk ka pranuar ndonjë letër apo njoftim nga FIBA Evropa që dy ndeshjet e Pejës do të organizohen në Greqi për shkak të provokimit të Radulicës dhe drojës për sigurinë e tij dhe të ekipit grek.

FBK-ja ka shkruar po ashtu për probleme në “Karagaçi”. Edhe gjatë edicionit të kaluar, palestra në Pejë kishte telashe serioze me semafor.

“Të dy takimet do të luhen në Greqi për shkak të problemeve në palestrën ‘Karagaçi’ në Pejë”, ka njoftuar FBK-ja.

Maroussi në fakt është favorit i madh ndaj Pejës. Kampionati grek është shumë cilësor. Qendra 36-vjeçare, Radulica, është prej lojtarëve kryesorë në ekipin grek. Radulica është i gjatë 213 centimetra. Ka bërë karrierë në NBA, ndërsa për shumë vjet ishte reprezentues i Serbisë. Ka luajtur edhe në skuadra të mëdha evropiane e po ashtu në Kinë.

Në Greqi nuk ka nisur ende kampionati. Ndërkohë Peja dështoi në garën për Superkupë të Kosovës, kurse në kampionat nisi keq, me humbje nga Vëllaznimi.

Maroussi kthehet në gara evropiane pas shumë vjetësh, ndërsa synon të paktën paraqitjen në stinorin e rregullt të FIBA Europe Cup. Kjo skuadër ka edhe basketbollistë të tjerë të suksesshëm. Sajti zyrtar i FIBA ka përmendur edhe Elvar Fridrikssonin e Islandës, por Radulicës.

Në stinorin e rregullt të FIBA Europe Cup tashmë është Trepça.  Skuadra e Mitrovicës është zhvendosur në FIBA Europe Cup, pasi u ndal në gjysmëfinale të turneut kualifikues në Ligën e Kampionëve. Trepça luajti javën e kaluar në kualifikimet e Championsit. Në çerekfinale e eliminoi Keravnosin e Qipros, ndërsa në gjysmëfinale u mposht nga Nymburku i Çekisë.