Peja e ka fituar ndeshjen për vend të tretë në Ligën Ballkanike.
Peja të dielën në Limassol të Qipros, e mposhti Lovqenin e Malit të Zi me rezultatin 93:82.
Peja çerekun e parë e fitoi me rezultatin 31:21, ndërsa periudha e dytë u mbyll baras, 19:19.
Edhe çerekun e tretë, kampionia në fuqi e Kosovës e fitoi 23:21, kurse 20:21 ishin shifrat e dhjetë minutëshit të fundit në të mirë të Lovqenit.
Justin Davis ishte i pandalshëm në fitoren e Pejës me 34 pikë, dhjetë kërcime e tri asistime.
Deandre Davis realizoi 15 pikë, Larry Thomas 14 pikë, kurse Arian Qallakaj kontribuoi me 12 pikë.
Katër minuta e gjysmë para fundit të gjithë ballafaqimit pati edhe incident mes lojtarëve. Bogdan Bogdanoviq bëri ndërhyrje shumë të ashpër në Qallakajn dhe situata u tensionua.
Pas disa minutash loja vazhdoi, ndërsa Peja fitoi në fund.
Liga Ballkanike pati vetëm pesë skuadra në këtë edicion dhe ishte shumë e zbehtë.
Në gjysmëfinale, Peja u mposht nga AEL-i nikoqir, ndërsa Sigal Prishtina e mposhti Lovqenin.