Golden Eagle Ylli nuk e pati përkrahjen e shikuesve në tribuna dhe këtë e shfrytëzoi Peja që të enjten mbrëma siguroi kualifikimin në gjysmëfinale të plejofit në basketboll. Pejanët e fituan ndeshjen e tretë të serisë çerekfinale të elitës së basketbollit kosovar.
Ndeshjen e zhvilluar në palestrën “13 Qershori”, Peja e fitoi me rezultatin 84:79.
Të enjten e kaluar në Suharekë, Peja kishte fituar 77:71, ndërsa të dielën në “Karagaçi”, Ylli kishte triumfuar me rezultatin 75:66.
Ndeshje që përcaktoi gjysmëfinalistin tjetër, ishte në shumicën e kohës thuajse i barabartë. Por, “verdhezinjtë” e Pejës e shfrytëzuan më mirë periudhën e katërt, që ishte edhe vendimtare në fitore.
Arian Çallakaj shënoi dy gjuajtjet e lira për Yllin, për rezultatin 79:82, kur kishte mbetur edhe një minutë e 25 sekonda lojë. Më pas u bënë disa gabime dhe u humbën disa topa. Për Pejën 21 sekonda para fundit, Marquez Townes shënoi për dy pikë për rezultatin 84:79. Rezultati nuk ndryshoi më. Tek Ylli Jalen Nesbitt dhe Derrick Wilson provuan nga vija për tri pikë, por tentimet e tyre ishin të pasakta dhe ndeshja u mbyll në të mirë të pejanëve me pesë pikë dallim.
Çereku i parë dhe i tretë i takoi Yllit, 28:21 dhe 20:17, ndërsa i dyti dhe i treti, skuadrës së Pejës, 24:15 dhe 22:16.
Te skuadra e Pejës që drejtohet nga trajneri slloven, Sebastjan Krasovec, Townes ishte më i disponuari për ndeshje. Ai e mbylli ndeshjen me 25 pikë, pesë asistime e tri kërcime. Darryl Morsell kontribuoi në fitore me dyshifror të dyfishtë prej 10 pikëve, 11 kërcimeve e katër asistimeve. Nga dhjetë pikë i kishin edhe Dardan Berisha dhe Amin Hot.
Tek Ylli i trajnerit slloven Alesh Pipan, lojë të mirë pati Nesbitt me 20 pikë, nëntë kërcime e katër asistime. Wilson i shënoi 15 pikë, kurse Lis Shoshi e mbylli ndeshjen me 12 pikë, por të pamjaftueshme për ta shmangur eliminimin.
Çerekfinalja e tretë në Suharekë u luajt pa praninë e shikuesve në shtëpi, pasi Ylli është dënuar me tri ndeshje pa shikues. I kanë mbetur edhe dy ndeshje të tjera për ta përfunduar dënimin. Dënimi ka ardhur pasi në ndeshjen e kaluar në Suharekë, pati fyerje të tifozëve ndaj lojtarëve të Pejës dhe hedhje të gjësendeve të forta. Madje lojtari i Pejës, Tristan Ikpe, ishte goditur me karrige nga një shikues i vendësve, kur skuadrat po shkonin drejt dhomave të zhveshjes.
Ndeshja e parë gjysmëfinale ndërmjet Bashkimit dhe Pejës luhet në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren. Bashkimi e mbylli në vendin e parë stinorin e rregullt dhe e ka edhe përparësinë e terrenit vendës. Gjysmëfinalja luhet deri në tri fitore. Peja e nis të dielën serinë gjysmëfinale ndaj Bashkimit.
Në gjysmëfinalen tjetër luajnë Trepça – Sigal Prishtina. Sigal Prishtina e eliminoi Vëllaznimin të mërkurën mbrëma, ndërsa ndeshjen e parë e luan të shtunën në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Trepça ishte e dyta në stinorin e rregullt.