Basketboll

Peja e Vëllaznimi me amerikanë të tjerë, Trepça e Bashkimi në Podgoricë për miqësore

Basketboll

Skuadrat kosovare të basketbollit janë në vlugun e përgatitjeve në prag të edicionit të ri të garave.

Edicioni 2024/2025 fillon me turneun e Superkupës, që është vendosur të zhvillohet në Prizren prej 7 deri më 11 shtator. Në garën për Superkupë marrin pjesë të gjitha tetë skuadrat e Superligës.
Trepça synon ta mbrojë trofeun e Superkupës, ndërsa para udhëtimit në Prizren bëri një udhëtim më të gjatë për në Podgoricë. Në kryeqendrën e Malit të Zi do të zhvillojë tri ndeshje miqësore me skuadra cilësore nga ky vend.

“Sot skuadra jonë ka udhëtuar për në Podgoricë të Malit të Zi, ku do të qëndrojë deri të premten. Gjatë kësaj kohe do të zhvillohen tri ndeshje përgatitore, shumë të rëndësishme për sfidat zyrtare që na presin nga fillimi i muajit të ardhshëm. Në bazë të planit të shtabit teknik, skuadra jonë në Podgoricë ka orar të ngjeshur. Pos stërvitjeve të rregullta, përballë në miqësore do të kemi skuadra cilësore nga Mali i Zi. Nesër prej orës 19:00 luajmë me skuadrën Derby. Të enjten prej orës 18:00 përballemi me skuadrën Podgorica, ndërsa të premten prej orës 12:00 me skuadrën Teodo. Nga Podgorica presim të kthehemi me informata të vlefshme për formën e skuadrës në prag të garës për Superkupë dhe më pas në Champions”, shkruan në një njoftim të Trepçës.

Në Mal të Zi ka udhëtuar edhe Bashkimi i Prizrenit, që si nikoqir synon suksesin në turneun e Superkupës. Edhe prizrenasit luajnë miqësore me Podgoricën e Teodon.

Skuadra tjetër pretendente, Peja, ka vepruar duke angazhuar edhe një basketbollist të huaj.

Të hënën Peja e prezantoi amerikanin e radhës. Bëhet fjalë për Tristan Ikpe, basketbollistin që së fundi luajti me sukses në Qipro e Hungari. Ishte prej më të mirëve në kampionatin qipriot në edicionin e kaluar, ndërsa u shpall edhe lojtari më i mirë në mbrojtje.

Amerikanin e radhës e ka angazhuar edhe Vëllaznimi i Gjakovës. Bëhet fjalë për Tedrick Wilcox Jr, që është i gjatë 198 centimetra dhe luan në pozitat dy e tre. Ai deri më tani ishte në ligat universitare të SHBA-së.

“Wilcox Jr është basketbollist që shquhet për gjuajtjet për tri pikë dhe për ngulitjet eksplozive. Ka shpejtësi dhe atleticizëm të frikshëm me top, por edhe në mbrojtje”, ka shkruar Vëllaznimi duke paralajmëruar se pret shumë nga Wilcox.

Tashmë të gjitha skuadrat janë të mbushura me basketbollistë amerikanë.