Peja e ka mposhtur thellë Proton Cable Prizrenin në palestrën “Karagaçi” në Pejë, në ndeshjen e mbetur të xhiros së dytë të Superligës së Kosovës në basketboll.
Pejanët të mërkurën mbrëma fituan me 19 pikë dallim ndaj prizrenasve, 96:77.
Ishte ndeshja e parë e Pejës pas largimit të trajnerit Rami Hadar. Skuadrën e udhëhoqi ndihmësi i tij, spanjolli Diego Garcia Velasco.
Vendësit në pushim shkuan me dhjetë pikë dallim, 49:39.
Në periudhën e katërt, Proton Cable Prizreni i drejtuar nga trajneri Arbnor Rifati, hyri me katër pikë disavantazh, 70:66.
Por, Peja falë përvojës e cilësisë më të madhe në skuadër, e fitoi dhjetëminutëshin e fundit me rezultatin 26:11 dhe nuk e rrezikoi fitoren.
Darrnell Coëart Junior ishte më i miri në fitore te Peja me dyshifror të dyfishtë prej 24 pikëve, 12 kërcimeve e katër asistimeve.
Lenzelle Smith Jr. ishte më i dalluari te Prizreni me 22 pikë, tetë kërcime e një asistim, por që nuk ishin të mjaftueshme për ta shmangur disfatën.
Trepça, Peja, Ylli dhe Vëllaznimi pas katër ndeshjeve kanë nga dy fitore e dy disfata.
Tabelës i prinë Bashkimi me katër fitore në po aq ndeshje të luajtura, ndërsa Prishtina e dyta ka tri fitore e një humbje.