Basketboll

Peja e fiton ndeshjen ndaj Yllit ku pati edhe përleshje

KB PEJA

Peja e ka fituar ndeshjen e parë çerekfinale të plejofit ndaj Golden Eagle Yllit, 77:71, e cila u ndërpre për rreth 45 minuta, kur kishin mbetur edhe 3 minuta e 30 sekonda deri në përfundim të pjesës së parë.

Pas fyerjeve dhe hedhjeve të gjësendeve në parket në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, ndeshja u ndërpre. Lojtarët e ekipit mysafir nisën të dalin nga arena, në drejtim të dhomave të zhveshjes.

Dhe një gjest me dorë në formë të shkronjës “L” e bërë nga Benas Griciunas teksa po dilte jashtë, është marrë si provokim nga tifozët vendës. Nga pamjet televizive, një tifoz i skuadrës vendëse ka gjuajtur me karrige në drejtim të basketbollistëve të Pejës që po shkonin drejt dhomave të zhveshjes. Rezultati në atë moment ishte 36:31 në të mirë të Pejës.

Pas afro 45 minutave vonesë, skuadrat u kthyen në parket, ndërsa disa pjesë të tribunave u zbrazën. Pasi u kthyen në parket, basketbollistët e Pejës e mbyllën me sukses pjesën e parë dhe shkuan në pushim me shtatë pikë epërsi, 48:41, ndonëse çerekun e parë e kishin humbur 23:19.

Peja edhe çerekun e tretë e nisi më mirë, por suharekasit u kthyen në lojë duke barazuar fillimisht shifrat në 56:56, 3 minuta e 11 sekonda pa u mbyllur kjo periudhë e lojës. Krijuan edhe epërsi prej dy pikëve 58:56, por nuk e ruajtën epërsinë. Pejanët e fituan edhe dhjetë minutëshin e fundit për fitoren e parë në çerekfinale.

Më i dalluari në fitoren e Pejës ishte Griciunas, që kishte dyshifror të dyfishtë prej 17 pikëve e 12 kërcimeve. Ai i shtoi edhe dy asistime. Lojë të mirë pati edhe Marquez Toëns me 14 pikë, nëntë asistime e katër kërcime. Ndërkohë, tek Ylli u dallua qendra Lis Shoshi me 15 pikë e 14 kërcime, kurse Jan Palokaj e mbylli ndeshjen me 22 pikë, pesë asistime e tri kërcime. Por, kontributi i tyre nuk mjaftoi.

 Për të avancuar tutje, Pejës i duhet edhe një fitore në ndeshjen tjetër që luhet në “Karagaçi” të dielën. Në gjysmëfinale, fituesi i ndeshjes Golden Eagle Ylli – Peja, luan me Bashkimin. Bashkimi e mbylli stinorin e rregullt në pozitën e parë në tabelë.

Peja ndërkohë stinorin e rregullt të elitës së basketbollit kosovar e ka mbyllur në vendin e pestë me 42 pikë, pas 14 fitoreve e po aq humbjeve. Golden Eagle Ylli me 15 fitore e 13 disfata, kishte përfunduar në pozitën e katërt me 43 pikë.

Të mërkurën u zhvillua çerekfinalja e parë. Sigal Prishtina fitoi ndaj Vëllaznimit 71:69, në ndeshjen e zhvilluar në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

Fituesi i ndeshjes Sigal Prishtina – Vëllaznimi, në gjysmëfinale ballafaqohet me Trepçën.

Lexo përditësimet tjera
Ylli - Peja

Peja e fiton ndeshjen ndaj Yllit ku pati edhe përleshje