Basketboll

Pas kthimit në finale, tek Ylli premtojnë seri ndeshjesh interesante me Trepçën

KB Ylli

Pas dy titujve rresht, Golden Eagle Ylli mungoi në finalen e kaluar të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll. Vjet, Peja e mposhti Trepçën në finalen dramatike për t’iu gëzuar titullit të kampionit.

Ylli kthehet në finalen e edicionit 2023/2024, ndërsa jashtë ka lënë pikërisht kampionen ende në fuqi, Pejën. Në gjysmëfinale, Ylli mposhti Pejën me rezultatin 3:2. Ndeshja e pestë dhe vendimtare u zhvillua të shtunën në palestrën “Karagaçi” në Pejë, pa praninë e shikuesve.

Ylli i Suharekës fitoi me rezultat 88:84 për t’iu bashkuar Trepçës në finale. Mitrovicasit finalen e kanë siguruar një javë më parë, duke eliminuar Sigal Prishtinën me rezultatin 3:0.

Trepça vlerësohet favorite në finale. Ndeshja e parë është të enjten prej orës 19:00 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Skuadra që i shënon tri fitore shpallet kampione.

“Ka qenë vërtet një seri fantastike me shumë të papritura”, thotë Gëzim Morina, kapiten i Yllit.

Suharekasit kishin fituar dy ndeshjet e para, e më pas Peja u kthye në dy ndeshjet e radhës për të siguruar ndeshjen e pestë.

“Peja tregoi karakter të fortë duke mos u dorëzuar edhe pas disavantazhit prej 2:0. Karakterin e tregoi sidomos në ndeshjen e katërt në Suharekë. Ne e kontrolluam atë ndeshje deri në dy minutat e fundit. Ajo humbje ishte dëshpëruese dhe bëri të vështirë konsolidimin tonë për ndeshjen e pestë dhe vendimtare. Megjithatë, trajneri bëri punë të mirë për të na motivuar dhe për të kthyer besimin e duhur. Të shtunën fituam dhe mendoj se plotësisht e merituam të jemi në finale”, ka shtuar Morina.

Gjatë stinorit të rregullt Ylli ishte i treti, ndërsa Peja e dytë. Në çerekfinale, skuadra nga Suhareka e eliminoi me rezultat 2:0 Bashkimin e Prizrenit.

Titujt e parë në histori, Ylli i ka fituar në vitet 2021 e 2022.

“Po kthehemi në finale pas një viti mungesë. Na pret ekipi më i mirë i këtij edicioni, Trepça. Do të jetë vështirë. Trepça ka fond të madh dhe tejet cilësor të lojtarëve, por ne do të kërkojmë shanset tona. Besoj se na presin ndeshje tejet interesante dhe të gjithë do të mund të kënaqen me basketboll cilësor”, është i matur në parashikime Gëzim Morina.

Ylli e kishte mposhtur Trepçën me rezultat 81:79 në ndeshjen e fundit të stinorit të rregullt. Kështu i kishte dhënë fund një serie impresive të “xehetarëve”.

Se a ka forcë për ta mposhtur sërish, mbetet të shihet nga e enjtja e tutje.

Trajneri i Yllit, Petar Mijoviq, është po ashtu i matur në parashikime. Ai thekson se gjysmëfinalja ishte ashtu si pritej – maratonë.

“Para gjysmëfinales, kur nisëm përgatitjet për këtë seri, u kam thënë lojtarëve që do të jetë maratonë. Dhe maratonë ishte. Ishte shumë vështirë. Peja është kundërshtare e shkëlqyer, ekip i shkëlqyer, me trajner të shkëlqyer dhe me lojtarë me përvojë që dinë si të luajnë e që kanë luajtur shumë ndeshje të plejofit. Ishim të mirë në dy ndeshjet e para. Më pas ndeshja e katërt ishte prej më të mirave që kemi luajtur këtë stinor, deri në dy minutat e fundit. E kemi merituar fitoren në këtë seri”, ka thënë Mijoviq.

Ai ka thënë se Trepça ka lojtarë të mirë, trajner të mirë e tifozë të mirë. Dhe ka pranuar se për Yllin do të jetë seri shumë e vështirë e ndeshjeve.

“Tani do të jetë shumë më vështirë. Trepça është ekipi më i mirë në ligë, po ashtu me trajner të shkëlqyer. Mitrovicasit janë duke pritur. Ne jemi mentalisht dhe fizikisht të shpenzuar tashmë, por do të mundohemi të shfaqim karakter sërish dhe ta bëjmë këtë finale atraktive për tifozët. Nuk e di ku janë më të mirë, lojtarët, trajneri, tifozët. Shumë gjëra për t’u përgatitur. Në një moment i kemi zënë, një muaj më parë, në Ligën Unike kemi treguar që mund të përballemi (me Trepçën). Qartë se është ekipi më i mirë, por do të mundohemi të bëjmë më të mirën dhe të luftojmë”, ka theksuar Mijoviq, që po vlerësohet për punën që e bën te suharekasit.

Trepça ka 12 vjet që është duke pritur për titull të kampionit. Ylli synon që t’ia vazhdojë pritjen edhe për të paktën një vit tjetër.