Tyrese Haliburton realizoi trepikësh 1.6 sekonda para fundit në vazhdime për t’i siguruar Indiana Pacersit epërsinë 2:1 në raundin e parë të serisë së plejofit ndaj Milwaukee Bucksit në Konferencën e Lindjes.
Haliburton regjistroi “triple-double” me 18 pikë, 16 asistime e 10 kërcime në fitoren 121:118.
Khris Middleton po ashtu dhuroi paraqitje të madhe me 42 pikë për Bucksin, por kjo nuk mjaftoi.
Milwaukeet në këtë ndeshje i mungoi edhe i lënduari Giannis Antetokounmpo.
Ndeshja e katërt e serisë së plejofit zhvillohet të dielën, sërish në Indianapolis.
Slloveni Luka Donçiq shënoi 22 pikë dhe regjistroi 10 kërcime e nëntë asistime në fitoren e Dallas Mavericks ndaj Los Angeles Clippers, 101:90, në shtëpi.
Kyrie Irving realizoi 19 pikë në 14 minutat e fundit, ndërsa Mavericks tani ka epërsi 2:1 në raundin e parë të plejofit në Konferencën e Perëndimit.
Minnesota Timberwolves fitoi 126:109 kundër Phoenix Sunsit. Kontribut në këtë triumf dha Anthony Edwards që realizoi 36 pikë e nëntë kërcime.
Timberwolvesi tani ka epërsi 3:0 në serinë e raundit të parë plejofit në Konferencën e Perëndimit.