Golden Eagle Ylli ka ndarë rrugët me trajnerin Casey Owens. Skuadra nga Suhareka ka njoftuar të martën se me marrëveshje të dyanshme ka ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin amerikan.
“Klubi njofton se është arritur një marrëveshje për ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Casey Owens me marrëveshje të dyanshme. Falënderojmë Casey për punën dhe përkushtimin e tij gjatë periudhës së kaluar me ekipin dhe i urojmë suksese në karrierën e tij të mëtejshme”, shkruan në njoftimin e Yllit.
Nën drejtimin e Owensit, Ylli ka fituar dy ndeshje, ndërsa ka pësuar tri disfata nga pesë ndeshjet e edicionit aktual të Superligës së Kosovës në basketboll. Ylli zë vendin e pestë me shtatë pikë.