Amerikani Jalen Nesbitt e udhëhoqi Golden Eagle Yllin drejt fitores së madhe ndaj Trepçës, të dielën mbrëma në palestrën e stërmbushur me tifozë në Suharekë. Ylli fitoi me rezultat 75:71 dhe barazoi në 2:2 rezultatin në serinë finale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll.
Aloja amerikane, Nesbitt, u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes. Për mbi 33 minuta të kaluar në parket, 30-vjeçari i kishte 15 pikë, nëntë kërcime e një asistim.
Kampioni i ri i Kosovës caktohet në ndeshjen e pestë që zhvillohet të enjten prej orës 19:00 në palestrën "Minatori" në Mitrovicë.
"Ndeshja e pestë dhe vendimtare do t'i takojë skuadrës që luan me disiplinë më të madhe dhe me zemër. Në këtë fazë të edicionit të gjithë janë të lodhur e të shpenzuar. Kështu që të jesh i fokusuar mentalisht në një gjendje të tillë do të jetë vendimtare, do ta bëj dallimin", ka thënë Nesbitt për KOHËN të hënën.
Ylli e Trepça janë përballur shumë herë këtë edicion. Ylli i ka katër fitore e Trepça pesë.
Trepça do ta ketë përkrahjen e shikuesve në ndeshjen vendimtare, por edhe Ylli ka shanset e tij jo të vogla.
"Ana jonë e fortë do të jetë aftësia për të luajtur me ritëm të shpejtë, me ndryshime në pesëshen e parketit. Anë e fortë e Trepçës duhet të jetë niveli fizik i lojtarëve të saj. Kjo u lejon atyre të kontribuojnë në kontrollimin e tempit të ndeshjes", ka shtuar Nesbitt.
Ai është prej fillimit të edicionit pjesë e Yllit të Suharekës. Ishte prezantuar më 1 shtator të vitit të kaluar. Ka shfaqur formë thuajse konstante, duke kontribuuar për Yllin gjatë gjithë edicionit, ndonëse pa shumë bujë e pa rënë shumë në sy.
Rëndësia e Nesbittit për ekipin është konfirmuar në plejof, sidomos në dy fitoret e Yllit ndaj Trepçës në Suharekë. Në Mitrovicë dy ndeshjet finale i kanë takuar Trepçës.
Jo të gjithë kanë besuar se Ylli do të arrijë në finale të plejofit dhe për më tepër do ta dërgojë serinë në ndeshjen e pestë. Dhe tani Ylli, njëjtë si Trepça, është një fitore larg titullit. Por vetëm njëra skuadër feston të enjten mbrëma.
"Po, këtë edicion kemi pasur shumë ngritje e rënie. Por, përkundër kësaj, synimi ynë kryesor ishte ta fitojmë kampionatin. Kemi kuptuar që është maratonë e jo sprint dhe tani kemi afruar veten te synimi kryesor - titulli i kampionit", thekson Nesbitt.
Ai këtë edicion ka luajtur me mesatare prej 13,2 pikëve, 7,3 kërcimeve e 2,1 asistimeve.
Jalen Nesbitt gjatë karrierës profesionale ka luajtur për skuadra në Kanada, Danimarkë, Luksemburg, Sllovaki e Spanjë.
Tek Ylli erdhi përmes lidhjeve të agjentit të tij dhe ish-trajnerit të suharekasve.
"Përfundimisht ishte vendim i duhur të vij këtu. E falënderoj Yllin për mundësinë", thotë Jalen Nesbitt.
Yllit i duhet kontributi i tij i madh të enjten për të shpresuar në titullin e tretë të kampionit në histori