Basketboll

Në Kosovë shikuesit janë larguar nga tribunat

Tribunat basket

Të mërkurën mbrëma u zhvilluan dy ndeshje të basketbollit. Njëra ndeshje e Ligës Unike u zhvillua në Prizren e tjetra në Suharekë. Por në të dyja qytetet, përkatësisht palestrat, numri i shikuesve ishte i vogël.

Në Prizren, përkatësisht në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, ndeshja Sigal Prishtina – Vllaznimi u përcoll me më pak se dhjetë shikues.

Numër i vogël i shikuesve të mërkurën ndoqën edhe ndeshjen tjetër të Ligës Unike në mes të Golden Eagle Yllit dhe Tiranës në “13 Qershori” në Suharekë.

Në fakt rënie të shikueshmërisë ka edhe në ndeshjet kampionale të Kosovës. Por jo vetëm në basketboll. Rënie të shikueshmërisë ka edhe në sportet e tjera kolektive, futboll, hendboll e volejboll.

Artan Mehmeti, ish-basketbollist i Trepçës, jep disa arsye. Mehmeti ka qenë njëri prej basketbollistëve më të mirë që ka pasur Kosova.

“Mendimi im rreth zbehjes së numrit të shikuesve nëpër tribuna është se fillimisht Liga Unike nuk ka zgjuar shumë interes tek shikuesit kosovarë për shkak të cilësisë së ekipeve. Kryesisht, ekipet nga Kosova janë me cilësi më të lartë se ato nga Shqipëria, dhe si rezultat i kësaj kemi një numër shumë më të ulët të shikuesve. Pajtohem që edhe në kampionatin tonë ka rënie, por mendoj se cilësia e lojtarëve të huaj të disa ekipeve, si dhe moti i ftohtë kanë ndikuar. Këtu në Mitrovicë, dominimi i Trepçës gjatë këtyre viteve të fundit dhe mungesa e rivalitetit në krahasim me ekipet e tjera ka bërë që të bjerë pak interesimi, duke ditur se fituesi në shumicën e rasteve është i parashikueshëm. Mendoj se me kalimin e kohës ekipet kanë filluar të bëjnë ndryshime në formacion, cilësia dhe rivaliteti do të rriten dhe publiku dhe tifozët do t’i mbushin palestrat”, ka thënë Mehmeti.

Trepça ka qenë prej klubeve që ka pasur tifozërinë më të zjarrtë në vitet e fundit. Ka qenë sfidë për të siguruar biletë për t’i përcjellë ndeshjet e saj. Kishte disa mosmarrëveshje të cilat tashmë janë tejkaluar. Por interesimi tashmë është dukshëm më i zbehtë se që ka qenë më herët.

Edhe kapiteni i Bashkimit, Altin Morina, thotë se cilësia e lojtarëve të huaj ka ndikuar në rënie të shikueshmërisë.

“Unë mendoj që shikueshmëria ka rënë për shumë arsye, por ndër më të theksuarat është cilësia e lojtarëve të huaj. Prandaj edhe nuk është shumë atraktive për shikuesit edhe pse tash nga fillimi i vitit të ri besoj që rifreskimi i klubeve do t’i afrojë edhe shikuesit”, ka thënë Morina.

Rënie të madhe të shikueshmërisë ka edhe në volejboll. Për shembull finalet e Kupës së Federatës në të dyja konkurrencat u përcollën me numër të vogël shikuesish. Ngjashëm është edhe në futboll.

Ndonëse investimet janë të mëdha, shikueshmëria është shumë e vogël. Superliga vlerësohet edhe për numrin e madh të lojtarëve cilësorë.

Shumica e skuadrave të Superligës luajnë ndeshjet e tyre në fusha të futbollit. Disa stadiume ose janë në rinovim, ose punët janë pezull.

Trajneri i futbollit, Gani Sejdiu, thotë se infrastruktura ka luajtur rol të madh për të keq në zbehjen e shikueshmërisë. Ai numëron edhe disa faktorë të tjerë.

“Të themi se gjendja sociale, dëshpërimi i përgjithshëm jetësor i njerëzve, mund të jetë një faktor, sepse në atë gjendje njerëzit e kanë të vështirë të gjejnë motivin për diçka tjetër. Por kjo nuk besoj se ndikon shumë, problemi më i madh për mua është infrastruktura që është shumë e dobët. Nuk të ofron as kushtet minimale për të shkuar në stadiume për të shikuar një ndeshje. Pastaj ka edhe diçka që ndoshta duhet bërë një anketë me tifozë nga të gjitha anët për të kuptuar këtë problematikë. Por ata që janë përgjegjës për këtë mendoj se nuk janë duke bërë mjaftueshëm në këtë segment, e që është një ndër më të rëndësishmit në sport”, ka thënë Sejdiu.