Basketboll

Në “Karagaçi” fillon seria e gjysmëfinaleve të plejofit

KB Ylli

Ndeshja Peja – Golden Eagle Ylli shënon fillimin e gjysmëfinales së plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll. Ndeshja e parë mes Pejës dhe Yllit të Suharekës zhvillohet të shtunën prej orës 17:15 në palestrën “Karagaçi”.

Kështu fillon faza më e rëndësishme e garës në basketbollin kosovar. Skuadrat kanë zhvilluar 28 xhiro në stinorin e rregullt, kanë zhvilluar turneun e Superkupës e atë të Kupës, si dhe turneun e Ligës Unike. Peja e Sigal Prishtina kanë luajtur edhe në Ligën Ballkanike, ndërsa Trepça e Peja ishin edhe në kupa evropiane.

Tani kanë mbetur të zhvillohen gjysmëfinalet dhe finalja e plejofit, që do të përcaktojnë skuadrën më të mirë të basketbollit kosovar për edicionin 2023/2024.

Në gjysmëfinalen tjetër takohen Trepça e Sigal Prishtina, ndërsa ndeshja e parë është të dielën nga ora 19:00 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.

Trepça llogaritet favorite e plejofit. Stinorin e rregullt e përfundoi në pozitën e parë, derisa fitoi Kupën, Superkupën dhe Ligën Unike. Në stinorin e rregullt mitrovicasit i kishin 25 fitore e tri humbje. Asnjërën prej humbjeve nuk ua ka shkaktuar Prishtina. Pos në katër ndeshjet e stinorit të rregullt, Trepça ka fituar ndaj Prishtinës edhe në finale të Kupës së Kosovës dhe të Superkupës së Kosovës, si dhe në gjysmëfinale të Ligës Unike.

Trepça në gjysmëfinale është kualifikuar direkt. Ndërkohë Prishtina në çerekfinale e kaloi Vëllaznimin. Fitoren e dytë dhe vendimtare e shënoi të enjten mbrëma. Prishtina stinorin e rregullt e ka përfunduar në pozitën e katërt me bilanc prej 16 fitoresh e 12 humbjesh. Vëllaznimi ishte i pesti me 13 fitore e 15 humbje.

Prishtina fundjavën e kaluar e fitoi Ligën Ballkanike, që ishte garë e zbehtë dhe me vetëm pesë skuadra solide pjesëmarrëse.

Skuadra që i shënon tri fitore kualifikohet në finale. Ndeshja e pestë eventuale zhvillohet në Mitrovicë.

Nga gjysmëfinalja plejofin e fillon edhe kampionia në fuqi, Peja. Skuadra pejane stinorin e rregullt e përfundoi në pozitën e dytë me 47 pikë, sa i kishte edhe Golden Eagle Ylli në pozitën e tretë. Peja u rendit më lart për shkak të bilancit më të mirë në ndeshjet e ndërsjella. Po ashtu do ta ketë përparësinë e terrenit në ndeshjen e pestë eventuale të plejofit.

Ylli në çerekfinale e eliminoi Bashkimin e Prizrenit. Ndaj Bashkimit, Ylli kishte dy fitore.

Në plejof pra paraqiten katër skuadrat kryesore të stinorit të rregullt. Gara pritet të jetë shumë e fortë, ndërsa befasitë nuk përjashtohen.