Basketboll

Në 11-vjetorin e themelimit, Ferizaj synon dy trofetë

Ferizaj

Edhe pse duket mision i vështirë, ekziston mundësia që volejbollistet e Ferizajt ta mbyllin edicionin me dy trofe.

Tashmë ato kanë bërë hapin e parë drejt trofeut të dytë të edicionit - titullit të kampionit - të parit në historinë 11-vjeçare të klubit.

Megjithatë, për ta fituar titullin, volejbollistet ferizajase kanë ende rrugë për të bërë. Pengesën e parë e kanë kaluar. Tani u duhet të eliminojnë në gjysmëfinale të plejofit Skenderajn e më pas të triumfojnë në finale.

Skenderaj nuk është kundërshtar i panjohur për Ferizajn. E kishte mposhtur në finalen dramatike për Kupë të Kosovës me rezultatin 3:1 në sete. Kupa ishte trofeu i parë i Ferizajt.

Trajnerja e Ferizajt, Arta Ramadani, tregon për ecurinë.

“Klubin e volejbollit e kemi themeluar më 8 mars 2014. Rruga ka qenë e vështirë. Kemi garuar fillimisht në Ligën e Parë të Kosovës, pastaj jemi ngritur në Superligën A. Kemi pasur një kohë të mirë në Superligën A, por me lojtare të reja. Kemi rënë në Superligën B, ku vitin e kaluar dolëm në vendin e parë dhe u kthyem. Me kthimin në Superligën A nisëm edhe investimet. Kemi sjellë lojtare nga jashtë. Në Kosovë ka ekipe të mira, kanë investuar gjithmonë, por falë përkushtimit nga të gjithë, u shpërblyem me Kupën e Kosovës”, ka thënë Ramadani.

Ajo thotë se triumfi për Kupë të Kosovës ka bërë që ambiciet të rriten.

“Kjo e arritur ka ardhur në kohën e duhur, pasi punën që e kemi bërë të gjithë si ekip ka qenë maksimale. Kur vjen Kupa, lodhja, sakrifica dhe gjithçka harrohen. Ky trofe na bën edhe më të motivuar për të ardhmen”.

Ferizaj të enjten stërviti në sallën e Shkollës së Mesme “Faik Konica”. Është njëra prej sallave ku volejbollistet zhvillojnë përgatitjet për ndeshje. Sallën e palestrës “Bill Clinton” e përdorin një ose dy herë në javë. Te Ferizaj ankohen se nuk kanë termine për t’u stërvitur rregullisht në palestrën e qytetit.

Fjolla Shabani, është e nderuar që si kapitene udhëhoqi Ferizajn drejt trofeut të parë në histori. Tani shpreson të ngre lart trofeun e kampionit.

“Shpresoj të vazhdojmë tutje duke mos u ndalur drejt shpalljes kampion të Kosovës. Sigurisht që edhe Kupa e Kosovës ka qenë e mirëseardhur, por titulli është qëllimi jonë kryesor”.

E kënaqur me suksesin e parë të klubit Ferizaj është edhe Rahime Maliqaj.

“Jemi angazhuar shumë. Kemi punuar shumë gjatë stërvitjeve dhe mundi në Kupën e Kosovës na u shpërblye. Tani synojmë finalen në plejofin për titull dhe pse jo të bëhemi kampionë”, ka thënë Maliqaj.

Falë edhe suksesit të meshkujve që po ashtu fituan Kupën dhe synojnë titullin, Ferizaj tashmë pos si qytet i hendbollit njihet edhe si qytet i volejbollit.