Basketboll

Kosova vetëm një herë kaloi me sukses raund kualifikimesh – në vitin 2017

Basketboll

Më 2 gusht të vitit 2017, Kosova fitoi 72:68 ndaj Maqedonisë në Prishtinë. Ishte ndeshja e parë e Grupit C të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2019 në basketboll. Më 9 gusht 2017, Kosova humbi 76:50 nga Estonia në Tallin. Nga Maqedonia në Shkup, Kosova humbi me rezultat 87:74, më 12 gusht 2017.

Më 19 gusht 2017 ishte ndeshja e fundit e grupit. Kosova fitoi 75:69 ndaj Estonisë në Prishtinë. 
Me ato dy fitore, Kosova u rendit e dyta në grup, pas Estonisë që kishte tri fitore dhe një humbje. Maqedonia kishte vetëm një fitore e tri humbje dhe mbeti e fundit, përkatësisht e treta. Vendi i dytë ia mundësoi Kosovës që të dalë nga parakualifikimet në raundin e parë të kualifikimeve evropiane për Botërorin 2019.

Amerikani Brad Greenberg ishte selektor i Kosovës. Erjon Kastrati, Alban Veseli, Granit Rugova, Dardan Berisha, Scott Bamforth, Jaren Sina, Lis Shoshi, Gëzim Morina, Fisnik Rugova e Leonard Mekaj ishin lojtarë në fitoren ndaj Estonisë.

Gati tetë vjet më pas, Berisha, Shoshi e Morina janë ende pjesë e përfaqësueses, njëjtë si Kastrati, aktualisht i lënduar. 

Por Kosova nuk ka regjistruar sukses tjetër, përkatësisht nuk ka kaluar me sukses më asnjë fazë të parakualifikimeve apo kualifikimeve për Kampionat Botëror apo Kampionat Evropian. Në disa kampanja kualifikuese i kishte edhe nga dy raste, por pa bërë hap para. Kishte fitore rrugës, megjithatë jo të mjaftueshme për të avancuar nga një raund në raundin pasues.

Të dielën mbrëma në Prishtinë, Kosova humbi nga Zvicra me rezultat 81:73. Kështu “Dardanët” e koshit e përfunduan pa sukses të synuar raundin e parë të parakualifikimeve për Kupën e Botës 2027. Kosova u rendit e treta në Grupin A me tetë pikë, përkatësisht me dy fitore e katër humbje. Zvicra e fitoi grupin, duke i fituar të gjitha gjashtë ndeshjet. Irlanda ishte e dyta me tri fitore e tri humbje, ndërsa Azerbajxhani mbeti i fundit me një fitore e pesë humbje.

Tashmë Kosova ka përvojën e kualifikimeve për tre Evropianë dhe për tre Botërorë. Dhe ka vetëm një kampanjë të suksesshme.
Debutimi ishte në kualifikimet për “Eurobasket 2017”. Për atë Evropian nuk ishte parakualifikime. Në gusht e shtator të vitit 2016, Kosova i humbi të gjitha gjashtë ndeshjet në grup me Slloveninë, Ukrainën dhe Bullgarinë.

Kampanja e dytë ishte ajo që përfundoi me sukses. Kosova avancoi bashkë me Estoninë, ndërsa e eliminoi Maqedoninë.

Në raundin e parë të kualifikimeve për Botërorin 2019, Kosova i humbi të gjitha gjashtë ndeshjet në grupin e fortë me Lituaninë, Poloninë e Hungarinë. Ato ndeshje ishin luajtur prej 24 nëntorit të vitit 2017 deri më 1 korrik të vitit 2018. 

Për “Eurobasket 2022”, Kosova nisi prej raundit të dytë të parakualifikimeve. Ndeshjet i zhvilloi prej 13 shtatorit të vitit 2018 deri më 24 shkurt 2019. Ishte në grup me Rumaninë dhe Maqedoninë, kurse i humbi të gjitha katër ndeshjet duke u renditur e fundit. 

Si e fundit ra në raundin e tretë të parakualifikimeve për “Eurobasket 2022”. Në grup me Britaninë e Madhe dhe Luksemburgun e kishte një fitore e tri humbje. U rendit e dyta, që nuk ishte mjaftueshëm për avancim në kualifikime.

Ngjashëm ishte edhe në kampanjën kualifikuese për Botërorin 2023. “Dardanët” garuan në raundin e parë të parakualifikimeve, prej shkurtit të vitit 2020 deri në shkurt të vitit 2021. Mbetën të fundit në grup, prapa Islandës, Sllovakisë dhe Luksemburgut. I kishin dy fitore e katër humbje.

Për “Eurobasket 2025”, Kosova i kishte dy raste në parakualifikime. Në raundin e parë parakualifikues (25 nëntor 2021 – 3 korrik 2022) përfaqësuesja mbeti e fundit në grup, pas Danimarkës e Norvegjisë. Sistemi i garës mundësoi që të vazhdohet në raundin e tretë të parakualifikimeve (19 korrik 2023 – 5 gusht 2023). Kosova u rendit e dyta në grup, pas Danimarkës e para Zvicrës. Por, nuk avancoi në kualifikimet e rregullta.

Tani me shumë gjasë Kosova do të nisë parakualifikimet për “Eurobasket 2029”, me shpresë për të bërë ndonjë lëvizje para. Kualifikimi në ndonjë ngjarje të madhe aktualisht është shumë i largët, me gjithë faktin se basketbolli mbetet shumë popullor në vend dhe investimet janë milionëshe.

Në raundin e parë të parakualifikimeve për Botërorin 2027, pos Kosovës kanë dështuar edhe Irlanda, Azerbajxhani, Luksemburgu, Armenia e Shqipëria. Asnjëri prej këtyre vendeve nuk e ka ligën lokale në nivel të Superligës së Kosovës. Liga e mbushur me të huaj megjithatë nuk po e ndihmon Kosovën që të paktën në parakualifikime të ketë sukses.