Selektori i ri i Kosovës në basketboll, Jean-Denys Choulet, e ka nisur punën me
“Dardanët” të martën mbrëma.
Basketbollistët e Kosovës janë duke u përgatitur për parakualifikimet evropiane për Botërorin e vitit 2027, ndërsa nga e mërkura, ata do të bëjnë stërvitje nga dy herë në ditë.
Federata e Basketbollit e Kosovës ka shkruar të mërkurën se stërvitjet të cilat po mbahen në palestrën “1 Tetori” kanë shkuar mirë.
Ka njoftuar po ashtu se të mërkurën në mëngjes, ekipit i janë bashkuar basketbollistët e Trepçës, Dardan Kapiti, Mikaile Tmushiq dhe Erjon Kastrati.
Në ditët në vijim, Kosovës në përgatitje do t’i bashkohet edhe Dominic Artis.
Kosova pas dy ndeshjeve në Grupin A zë vendin e tretë, me një fitore e një humbje, aq sa ka edhe Azerbajxhani në vendin e dytë.
Grupit i prinë Zvicra me dy fitore nga po aq ndeshje.
Kosova fitoi ndaj Irlandës 83:76, ndërsa humbi nga Azerbajxhani 87:77. Të dyja ndeshjet u zhvilluan në muajin shkurt.
Ndërkohë, më 21 nëntor, Kosova në Bernë luan ndaj Zvicrës, kurse më 24 nëntor e pret Irlandën.
Ndeshjet e fundit i luan në shkurt të vitit të ardhshëm, ndaj Azerbajxhanit dhe Zvicrës. Që të dyja i luan në shtëpi.