Basketboll

“Kënaqësi e pastër”, James ringjallet duket luajtur përkrah djalit të tij

LeBron James dhe djali i tij Bronny

Ylli i Los Angeles Lakers, LeBron James, ka thënë se paraqitja përkrah djalit të tij të madh, Bronny, i ka dhënë “shumë jetë”.

James po e fillon edicionin rekord, të 22-të, në NBA dhe është i vendosur të shkruajë historinë duke dalë në parket me Bronnyn, 19-vjeçar, i cili u draftua nga Lakersat si zgjedhje e 55-të në qershor.

39-vjeçari LeBron James e nis edicionin pasi ndihmoi SHBA-në ta fitojë medaljen e artë në Lojërat Olimpike në Paris të mbajtura në verë. Por ai ka motiv shtesë në edicionin e ri. Thotë se është rigjallëruar duke luajtur  në një ekip me njërin prej fëmijëve të tij.

“Ka shumë entuziazëm, kënaqësi të pastër, të jesh në gjendje të shkosh në punë çdo ditë, duke punuar fort me djalin tënd dhe ta shohësh atë duke vazhduar të rritet”, ka thënë James në ditën e mediave në Lakers.

“Ne shtyjmë njëri-tjetrin. Ai më shtyn mua. Unë e shtyj atë. Ne i shtyjmë bashkëlojtarët, dhe e kundërta. Kështu që është moment shumë i lumtur jo vetëm për mua, por edhe për familjen tonë. Është e jashtëzakonshme. Të jep shumë jetë”, ka shtuar ylli i NBA-së.

James, i cili  i mbush 40 vjet në dhjetor, ka folur edhe për atë se si paraqitja me yjet tjerë të NBA-së, Kevin Durant e Stephen Curry në Lojërat Olimpike, e ka ndihmuar që të ringjallet.

“Kur je me 11 lojtarë të tjerë të shkëlqyer, disa prej më të mirëve që kemi parë ndonjëherë, të jep shumë kënaqësi që të jesh në gjendje të luash, të paraqitesh në nivel të lartë. Për mua personalisht, të jem në gjendje të shkoj atje në këtë moshë, me të kaluarën që kam dhe të jem në gjendje të luaj në nivelin në të cilin luajta është dëshmi se kam ende rezerva dhe se mund ta ndihmoj ekipin të fitojë në fund.

Ndihesha vërtet mirë të luaja basketboll të rëndësishëm në nivelin më të lartë. Të kesh përsëri atë ndjenjë ku luan basketboll të rëndësishëm, ku secili top ka rëndësi dhe secili gabim dhemb, është e veçantë. Ishte mirë ta rijetosh atë moment”, ka thënë James.

Edicioni në NBA fillon më 22 tetor, ndërsa Lakersat përballen me Minessota Timberwolves. Fillimisht kampioni, Boston Celtics, luan ndaj New York Knicks.