Rami Hadar më nuk është pjesë e basketbollit të Kosovës. Pasi dha dorëheqje nga posti i trajnerit të Pejës, 57-vjeçari nga Izraeli ka lëshuar edhe pozitën e përzgjedhësit të Kosovës. Këtë e konfirmoi të martën Federata e Basketbollit e Kosovës.
Hadarit i ishte besuar drejtimi i Kosovës pasi e udhëhoqi Pejën drejt titullit të kampionit të Kosovës në edicionin 2022/2023.
Së fundmi Hadari ka shpërthyer në akuza ndaj gjyqtarëve të basketbollit kosovar dhe ndaj FBK-së, që ishte njëra prej dy punëdhënësve të tij. Ka thënë se ndaj tij ka tendencë për tri vjet, pra prej se erdhi në Kosovë. Hadari ka bërë thirrje që “njerëzit në Kosovë të zgjohen nga gjumi dhe ta shohin realitetin”.
Pas kësaj deklarate, Hadari dha doreheqje nga Peja e tani edhe nga përfaqësuesja e Kosovës.
Sipas FBK-së, Hadari ka dhënë dorëheqje “për arsye personale”. Ai ishte selektor që nga maji i vitit 2023, kurse kishte kontratë deri në vitin 2026.
Kosova fillimisht kishte dy fitore ndaj Zvicrës e dy humbje nga Danimarka në parakualifikimet për “Eurobasket 2025”, nën drejtimin e Hadarit. Në parakualifikime për “Botërorin 2027”, Kosova me Hadarin në stol fitoi ndaj Irlandës dhe pësoi nga Azerbajxhani.
Në fakt përfaqësuesja nuk ka bërë ndonjë hap para me Hadarin. Vazhdon të jetë shumë larg ngjarjeve të mëdha, duke u paraqitur e duke u eliminuar në fazat e hershme parakualifikuese. Problemi kryesor te Kosova vazhdon të jetë mungesa e konkurrencës. Rreth dhjetë lojtarë pak më cilësorë të vendit, që paraqiten në Superligë, e kanë vendin thuajse të sigurt te Kosova. Madje në përfaqësuese kanë peshë edhe lojtarë që në klubet e tyre luajnë fare pak. Mungesa e lojtarëve është problem dukshëm më i madh se që janë kompetencat e selektorit. Hadari, si selektorët e tjerë, nuk ka mundur të ndikojë në këtë.
Kosova në nëntor luan ndaj Zvicrës e Irlandës dhe FBK-ja duhet të vendosë shpejt për pasuesin e Rami Hadarit.
“FBK-ja ka filluar negociatat me trajnerë potencialë për të udhëhequr Dardanët. Përzgjedhësi i ri pritet të emërohet shumë shpejt”, shkruan në njoftim.
Pjesë e basketbollit kosovar Hadar u bë në shkurt të vitit 2023 kur mori drejtimin e Pejës. Peja e ka falënderuar Hadarin për punën e kryer, e që është vlerësuar shumë lart. Peja po ashtu nuk ka vendosur ende për trajnerin e ri.