Një incident i rëndë e një akuzë, po ashtu e rëndë, kanë karakterizuar ndeshjet e treta gjysmëfinale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll. Të mërkurën e të enjten janë ndeshjet e katërta të gjysmëfinales, ndërsa shpresohet që fokusi do të jetë në basketboll e në lojë cilësore më shumë se në zhvillimet e tjera.
Të shtunën Trepça fitoi 67:61 ndaj Sigal Prishtinës në “Minatorin” e stërmbushur dhe tani udhëheq 2:1 në gjysmëfinale. Ndeshja e radhës mes këtyre dy skuadrave është të mërkurën prej orës 19:00 në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Palestra pritet të jetë e mbushur me shikues e përkrahja për Prishtinën, e madhe.
Tifozët e Prishtinës shpresojnë se skuadra e tyre të paraqitet më mirë se në ndeshjen e kaluar. Sidomos më mirë se në çerekun e katërt, në të cilin prishtinasit i realizuan vetëm pesë pikë. Shpresohet që edhe kontributi i vendorëve të jetë më i madh. Në ndeshjen e kaluar në Mitrovicë, lojtarët vendorë të Prishtinës i shënuan vetëm pesë pikë gjithsej. Muhamedali Janjeva luajti gati 26 minuta, Daniel Lekndreaj gati 12 minuta, Fisnik Rugova mbi 25 minuta, ndërsa hapësirë kishte edhe për Jon Ismajlin e Fatlind Shoshajn. Sa për krahasim, lojtarët vendorë të Trepçës i shënuan 31 pikë.
Pas ndeshjes, Prishtina bëri akuzë të rëndë ndaj gjyqtarëve të ndeshjes, që ishin të huaj. Për arbitrat, Prishtina shkroi se janë “lojtarët më meritorë për fitore, me vjedhje klasike”. Klubi i kaltër më pas shkroi për “hajni të paparë deri sot në basketbollin e Kosovës”.
Zyrtarisht Prishtina paraqiti ankesë për një treshe të amerikanit të Trepçës, Tekele Cotton. Komisioni i Garave i FBK-së pranoi se treshja ishte shënuar pasi kishte përfunduar aksioni, por ankesa e Prishtinës është refuzuar për shkak se, sipas rregullave, në atë situatë nuk lejohej ndihma e videoxhirimeve. Dhe rrjedhimisht mbeti në fuqi vendimi i arbitrave.
Prishtina e Trepça tashmë i janë kthyer ndeshjes së katërt. Prishtina pret përkrahje të madhe të shikuesve në tentim për të barazuar rezultatin në 2:2. Në një skenar të tillë, ndeshja e pestë dhe vendimtare do të zhvillohej të shtunën në Mitrovicë. “Xehetarët” udhëtojnë për fitore në Prishtinë, me shpresë finalen ta sigurojnë pa ndeshje të pestë.
Në serinë tjetër gjysmëfinale po përballen Bashkimi e Peja. Ekipi prizrenas po udhëheq 2:1, falë fitores në ndeshjen e së dielës në “Sezai Surroi”. Ajo ndeshje u ndërpre pesë sekonda para fundit, për shkak të një konflikti fizik mes drejtuesve të Bashkimit dhe pjesëtarëve të sigurimit privat që vet klubi i angazhoi për të ofruar siguri. Bashkimi është dënuar që tri ndeshjet e ardhshme si vendas t’i luajë pa shikues.
Ndeshja e ardhshme është të enjten në palestrën “Karagaçi” në Pejë. Te Peja synojnë fitore për të siguruar ndeshjen e pestë vendimtare. Ndërkohë, me synim për fitore marrin udhë drejt Pejës, lojtarët e Bashkimit.
Nëse seria barazohet në 2:2, ndeshja e pestë dhe vendimtare luhet të dielën mbrëma në Prizren, pa shikues në tribuna. Peja luajti ndeshje vendimtare në çerekfinale pa shikues në tribuna. Golden Eagle Ylli ishte dënuar për shkak të një incidenti dhe nuk kishte përkrahje në ndeshjen e tretë. Peja fitoi në Suharekë dhe bëri vend në gjysmëfinale.