E zjarrtë pritet të jetë faza gjysmëfinale e plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll. Katër skuadrat e mëdha të basketbollit kosovar janë në gjysmëfinale dhe kjo është garanci e një lufte të ashpër për vend në finale.
Ndeshjet e para gjysmëfinale janë në fundjavë. Të shtunën nga ora 19:00 takohen Trepça e Sigal Prishtina. Të dielën nga ora 19:00 takohen Bashkimi e Peja.
Palestra “Minatori” të shtunën dhe ajo “Sezai Surroi” të dielën, pritet të jenë të stërmbushura me shikues. Njëjtë pritet të jetë të mërkurën në Pallatin e Rinisë dhe Sportit e po ashtu në palestrën “Karagaçi”.
Nga gjysmëfinalja në finale kalohet me tri fitore. Pra maksimalisht mund të jenë pesë ndeshje dhe kjo ka gjasa të mëdha të ndodhë. Cilësia e skuadrave vlerësohet e përafërt.
Trepça e Bashkimi në fundjavë i luajnë ndeshjet e para të plejofit. Bashkimi si i pari pas stinorit të rregullt, dhe Trepça si e dyta, janë kualifikuar direkt në gjysmëfinale.
Peja në stinorin e rregullt ishte e pesta. Në çerekfinale të plejofit e eliminoi Golden Eagle Yllin e vendit të katërt. Ylli e kishte përparësinë e terrenit vendës në ndeshjen e tretë. Dhe të enjten mbrëma humbi nga Peja, 84:79. Peja e kishte fituar edhe ndeshjen e parë në Suharekë, 77:71. Në Pejë kishte fituar Ylli, me rezultatin 75:66. Ndeshja e tretë çerekfinale u luajt në palestër të zbrazët për shkak të problemeve që kishin ndodhur në ndeshjen e parë.
Prishtina në stinorin e rregullt ishte e treta. Në çerekfinale të plejofit e mposhti Vëllaznimin që përfundoi i gjashti. Edhe Prishtina fitoi 2:1. Ngadhënjeu fillimisht me rezultat 71:69. Vëllaznimi barazoi në Gjakovë, duke fituar 90:73. Të mërkurën në Prishtinë, skuadra e kaltër fitoi 86:82.
Derisa Prishtina e Peja janë në ritëm të ndeshjeve, Bashkimi e Trepça kanë pasur ditë të mjaftueshme në dispozicion për të përgatitur gjysmëfinalet.
Trepça ka humbur tri prej katër ndeshjeve kampionale të këtij edicioni nga Prishtina. Dy skuadrat me traditë u përballën edhe në gjysmëfinale të Kupës. Prishtina e fitoi ndeshjen e parë 67:65, ndërsa Trepça u revanshua në të dytën, 84:66. Më pas “xehetarët” në finale e mposhtën Bashkimin.
Trepça e kishte mposhtur Prishtinën edhe në finale të Superkupës së Kosovës, në shtator të vitit të kaluar.
Trepça është kampione në fuqi.
Trajneri i ri i Prishtinës, spanjolli Paco Olmos, nuk e njeh shumë Trepçën. Por nga asistentët është njoftuar që Trepça është skuadër shumë e fortë.
“Ndeshjet i marrim një nga një. E dimë që do të jetë shumë vështirë, por do ta shijojmë këtë fazë të kampionatit”, ka thënë Olmos.
Bashkimi ka fituar tri prej katër ndeshjeve kampionale me Pejën. Së fundi e mposhti në xhiron e fundit të stinorit të rregullt, me rezultat 75:72. Ajo ndeshje ishte vendosur vetëm në aksionet e fundit.
“Për ne është më e lehtë të luajmë në udhëtim. Për disa arsye, nëse luajmë mirë në shtëpi është moment i mirë, por nëse luajmë keq më pas salla kthehet kundër nesh. Të luajmë në udhëtim është më e lehtë pasi e dimë se të gjithë janë kundër nesh. Në aspektin mental është më e lehtë të luajmë në udhëtim”, ka thënë trajneri i Pejës, Sebastjan Krasovec.
Ai ka pak kohë të përgatisë skuadrën për tjetër ndeshje në udhëtim. Madje një shumë të vështirë.