Basketboll

Gjashtë pikë në një çerek, tri në një tjetër: “Nuk ishte nata jonë”

Kosova basketboll

Jo shpesh një përfaqësuese e të rriturve në basketboll i shënon vetëm tri pikë gjatë një çereku të lojës. Kjo i ndodhi Kosovës të enjten mbrëma në Bernë të Zvicrës. Në çerekun e katërt të ndeshjes ndaj Zvicrës, që nuk shquhet për ndonjë nivel të basketbollit, Kosova i shënoi vetëm tri pikë. Pra, për dhjetë minuta i realizoi vetëm tri pikë, ndërsa i pranoi 19.

Shumë i zbehtë për Kosovën ishte edhe dhjetëminutëshi i dytë, në të cilin basketbollistët e përzgjedhur nga francezi Jean-Denys Choulet i shënuan vetëm gjashtë pikë. I pranuan plot 22. 

Me një paraqitje të tillë humbja ishte e pashmangshme. Kosova humbi shumë thellë, 75:43. Ndeshja i takoi raundit të parë të parakualifikimeve për Kupën e Botës 2027.

Kosova i ka disa humbje edhe më të thella. Por asnjëherë nuk ka shënuar kaq pak pikë. Dhe asnjëherë nuk i ka ndodhur që të shënojë vetëm tri pikë për një çerek. Humbjet më të thella i ka nga përfaqësuese dukshëm më të mëdha se ajo e Zvicrës. Dhe rrjedhimisht humbja e së enjtes është prej më të rëndave prejse Kosova ka nisur me ndeshje zyrtare, përkatësisht me ndeshje kualifikuese.

Kosova ka udhëtuar në Zvicër me synim për fitore. Vjet e kishte mposhtur Zvicrën në dy ndeshje. Këtë herë fitorja nuk ishte as afër.

Asgjë nuk ka funksionuar te përfaqësuesja e Kosovës. Këtë e pranoi edhe kapiteni Dardan Berisha në konferencë për shtyp pas ndeshjes. 

“Na kanë munguar të gjitha, në mbrojtje e sulm. Mbi të gjitha na mungoi forca, kishim udhëtim të gjatë, por ky nuk është arsyetim. Është dashur të luanim më fort. E urojmë Zvicrën, e meritoi fitoren”, ka thënë Berisha.

Federata e Basketbollit e Kosovës ka lëshuar një njoftim të shkurtër për ndeshjen, pa bërë ndonjë komentim dhe pa pranuar përgjegjësinë për rezultatin dëshpërues. 

Kapiteni Berisha ka thënë se nuk ishte nata e Kosovës.

“Jemi munduar, por nuk ishte nata jonë dhe kjo nuk është loja jonë. Shpresojmë që ndeshja e ardhshme do të jetë shumë më mirë. I falënderojmë tifozët për atmosferën e mirë. Kanë udhëtuar edhe nga vendet e tjera dhe ishin edhe nga këtu. I kemi dëshpëruar ndoshta, por shpresojmë se të dielën do të jemi më mirë dhe do të kthehemi me fitore”, ka shtuar Dardan Berisha.

Paraqitja vlerësohet se nuk ka të bëjë me natë të keqe. Kosova ka shumë e shumë vjet që përballet me mungesë të lojtarëve cilësorë vendorë. Dhe mungesa e secilit lojtar të rëndësishëm vërehet shumë. Këtë herë u vërejt mungesa e Drilon Hajrizit, ndërsa Berisha nuk ka dhënë as për së afërmi kontributin që e ka dhënë në të kaluarën. Ai ka nisur me ndeshje javë më parë, pas një pushimi të gjatë.

Berisha e Hajrizi prejse ka nisur Kosova me ndeshje kualifikuese janë bartës të lojës. Të tjerët, më të rinj në moshë, nuk marrin e nuk kanë përgjegjësi. Shumica, nëse jo të gjithë, nuk kanë shumë përgjegjësi as në klubet e tyre, që janë të mbushura me të huaj. Dhe gjendja në përfaqësuese vlerësohet se është rrjedhojë e gjendjes në klube – me shumë të huaj, me fare pak lojtarë të rinj të vendit dhe gati pa asnjë përgjegjësi për vendorët. Rrjedhimisht gjendja nuk pritet të ndryshojë shpejt për të mirë. Mund të bëhet vetëm më keq, sidomos pasi Berisha e Hajrizi t’i japin fund karrierës. Aktualisht nuk ka basketbollistë që i zëvendësojnë ata. Kjo vlerësohet të jetë pasojë e politikës që ndjekin klubet e që në një mënyrë aprovohet nga federata – bazimit vetëm në lojtarë të huaj, shpesh me cilësi të dyshimta. 

Në basketbollin kosovar, e sidomos në klube, investohen miliona euro. Por shumica e parave shkojnë te lojtarët e huaj. Edhe vendorët paguhen goxha shumë, ndonëse niveli i tyre, me pak përjashtime, nuk u afrohet lojtarëve cilësorë të huaj. Paraqitja ndaj Zvicrës e dëshmon këtë.

Mikaile Tmushiq, basketbollisti nga Mali i Zi që për shumë vjet luan në Kosovë e për Kosovën, ishte më efikasi me nëntë pikë. Tetë i kishte Dardan Berisha.Të tjerët më pak. Dardan Kapiti, Arian Qallakaj e Rron Ukaj mbetën pa pikë, Gëzim Morina i kishte gjashtë, Arti Hajdari tri, Meriton Ismaili tri, Muhamedi Janjeva gjashtë, Lis Shoshi dy, Erjon Kastrati dy.

Kosova madje e kishte në përbërje një amerikan të natyralizuar. Dominic Artis nuk bëri dallimin.  I realizoi vetëm katër pikë.

Kosova të dielën e luan ndeshjen e radhës. Përballet me Irlandën në Dublin. Ndaj Irlandës kishte fituar në Prishtinë më 22 shkurt me rezultat 83:76. Më 25 shkurt kishte pësuar 87:77 nga Azerbajxhani në Baku.

Azerbajxhani të enjten humbi 91:67 nga Irlanda në Dublin. Rrjedhimisht Kosovën e pret ndeshje shumë e vështirë. Mbetet të shihet nëse humbja nga Zvicra ishte vetëm “natë e keqe” apo gjendje reale e përfaqësueses së basketbollit. Dhe basketbollit kosovar në përgjithësi.