Basketboll

Gara në basketboll nis me turneun e Superkupës

basketboll

 Me ndeshjet e Superkupës së Kosovës nis edhe edicioni i ri i garave në basketbollin kosovar. Prej 7 deri më 11 shtator do të zhvillohen ndeshjet e Superkupës, me tetë skuadra të Superligës pjesëmarrëse. 

Organizator i Superkupës është Prizreni, ndërsa pritet të ketë ballafaqime interesante. Skuadrat janë gati për përballjet që do t’i kenë, por ende jo të gjitha nuk i kanë kompletuar përbërjet. Transferime të reja priten ende. 

Federata e Basketbollit e Kosovës ka shkruar se në Prizren do të ketë spektakël. 

“Spektakli i basketbollit do të fillojë në qytetin e bukur dhe historik. Pasi janë caktuar çiftet çerekfinale, tashmë dihet edhe orari i ndeshjeve, që zhvillohet më 7 dhe 8 shtator. Më 9 shtator do të zhvillohen ndeshjet gjysmëfinale, derisa finalja më 11 shtator”, ka shkruar FBK-ja. 

Gara për Superkupë nis të shtunën me ndeshjen Trepça – Bora, që fillon në orën 17:00. 

Trepça dominoi në basketbollin kosovar në edicionin e kaluar duke fituar gjithë trofetë. Triumfoi në Superligën e Kosovës pas 12 vjetësh, ndërsa festoi edhe në Kupë, Superkupë e në Ligën Unike. 
Mbrojtjen e trofeut të Superkupës mitrovicasit do ta nisin ndaj Borës, skuadrës që për herë të parë do të paraqitet në elitën e basketbollit kosovar. 

Mungesë e madhe për Trepçën do të jetë kapiteni Drilon Hajrizi, për shkaqe shëndetësore. Hajrizi tani është mirë me shëndet, por pritet të kthehet në parket më vonë. 

Vëmendja të shtunën do të jetë nga ora 20:00, kur takohen Sigal Prishtina dhe Vëllaznimi. 
Daniel Lekndreaj është kthyer te “bardhekaltrit”. Në edicionin e kaluar ishte te Vëllaznimi, ndërsa të shtunën do të luajë ndaj ish-skuadrës. Ai e vlerëson të rëndësishme nisjen e sezonit me fitore. 
“Prishtina gjithmonë futet me synime për të fituar trofe në të gjitha garat. Kemi skuadër cilësore dhe trajner të dëshmuar, që kërkon dhe nxjerr më të mirën nga secili. Kam besim se do të arrijmë lart. Unë dhe bashkëlojtarët do ta bëjmë më të mirën”, ka thënë Lekndreaj për KOHËN. 

Ai foli edhe për ndeshjen e veçantë ndaj Vëllaznimit. 

“Vëllaznimi shquhet për afrimet cilësore dhe uroj të ketë rezultate sa më të mira. Njëkohësisht besoj fuqishëm se me kualitetin e ekipit tonë do të arrijmë të përballemi në mënyrën më të mirë dhe ta tejkalojmë ekipin gjakovar për raundin e radhës”, tha Lekndreaj, i cili shtoi se deri tani gjithçka ka shkuar sipas planit. Prishtina në këtë edicion do të drejtohet nga trajneri turk, Murat Bigle. 

Ndërkohë kapiteni i Vëllaznimit, Atik Koshi, deklaroi për KOHËN se përgatitjet në verë kanë qenë të mira dhe janë gati për sezonin e ri. Por Koshi nuk ka premtuar sukses madhor për edicionin e ri. Ka theksuar se synohet plejofi fillimisht, e më pas nëse është e mundur, suksesi i mëtejmë. 

“Përgatitjet e ekipit kanë shkuar mirë deri tani. Kanë ardhur shumica e përforcimeve të huaja dhe jemi duke u kompletuar si ekip. Dita-ditës po sistemohemi me njëri-tjetrin. Jemi përgatitur në maksimum për ndeshjen kundër Prishtinës dhe shpresoj se do të jemi të gatshëm për lojë të gjithë”, deklaroi kapiteni i Vëllaznimit.

Të dielën në program për t’u luajtur janë ndeshjet Peja – Proton Cable Prizreni dhe Golden Eagle Ylli – Bashkimi. 

Pas turneut të Superkupës, edicioni i ri i elitës së basketbollit kosovar nis më 14 shtator.

Superkupa e Kosovës

E shtunë:
17:00 Trepça – Bora 
20:00 Sigal Prishtina – Vëllaznimi

E diel 
17:00 Peja – Proton Cable Prizreni 
20:00 Golden Eagle Ylli – Bashkimi