Basketboll

Finale e zjarrtë, cila skuadër shpallet kampione?

Finale e zjarrtë, cila skuadër shpallet kampione?

Me një ndeshje të zjarrtë e shumë të fortë do të mbyllet edicioni 2023/2024 në basketbollin kosovar.

Të enjten prej orës 19:00 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë takohen Trepça e Golden Eagle Ylli.

Është ndeshja e pestë e serisë finale të plejofit në Superligën e Kosovës. Rezultati pas katër ndeshjeve është 2:2 dhe skuadra që shënon fitore shpallet kampione.

Katër ndeshjet e deritashme finale janë garanci që finalja e pestë do të jetë dramë e vërtetë. Të gjitha katër ndeshjet ishin shumë të forta e interesante. Janë vendosur në aksionet e fundit. Përkushtimi për ndeshjen e pestë është edhe më i madh dhe kjo bën që finalja të jetë ashtu si duhet – momenti kryesor i gjithë edicionit.

Trepça është duke pritur shumë gjatë për titull të kampionit, që nga viti 2012. Vjet iu afrua titullit, por Peja festoi në fund në Mitrovicë. Ylli i Suharekës është në kërkim të titullit të tretë. Dy të parët i kishte fituar në vitet 2021 e 2022. 

Interesimi për ndeshjen vendimtare është shumë i madh, sidomos në Mitrovicë. Biletat dalin në shitje në ora 9:00 dhe pritet të shiten brenda pak minutash. Kërkesa për biletë është shumë më e madhe se potenciali i palestrës buzë lumit Ibër. 

Përkrahja për Trepçën do të jetë e jashtëzakonshme. Trepça po ashtu ka dominuar këtë edicion, duke fituar Kupën e Kosovës,  Superkupën dhe Ligën Unike. Në plejof startoi nga pozita e parë dhe në gjysmëfinale e mposhti 3:0 Prishtinën. 

Por Ylli ka shansin e tij. Në fakt në ndeshje si kjo e së enjtes mbrëma, gjasat vlerësohen 50-50. 

Deri më tani Ylli ka fituar dy ndeshjet finale në Suharekë, derisa Trepça kaloi në epërsi 1:0 e 2:1 në ndeshjet në Mitrovicë. Ylli megjithatë ka dëshmuar se ka nivelin për ta rivalizuar Trepçën e po ashtu për ta mposhtur.

“Edhe këtij sezoni po i vjen fundi. Ndeshja e pestë finale, e 11-a me Trepçën këtë edicion. Mendoj që dy skuadrat kemi treguar lojëra të mira dhe tifozët kanë mundur të jenë të kënaqur me ndeshje. Shkojmë në Mitrovicë për fitore”, ka thënë kapiteni i Golden Eagle Yllit, Gëzim Morina.

Kapitenit të Trepçës, Valdrin Haxhiu, tifozët “Torcida” ia bënë një përshëndetje unike në ndeshjen e kaluar në “Minatori”. Synimi i Trepçës ishte që titulli të fitohej në Suharekë. Por kjo nuk ndodhi. Kështu që Haxhiu do të jetë kapiten për herë të fundit të enjten mbrëma, sërish në “Minatori”.

“Na pret ndeshja vendimtare. Të dy ekipet janë të përgatitura maksimalisht. Besoj në fitoren e ekipit tonë. Pres angazhim maksimal të lojtarëve dhe përkrahje të madhe nga tifozët tanë ‘Torcida’”, ka thënë Haxhiu.

Se a do t’u takojë festa mitrovicasve apo suharekasve, do të vendoset gjatë 40 minutave të dramës basketbollistike.