Basketboll

Ekipet e Kosovës kërkojnë suksesin në Ligën Ballkanike

BIBL - basketboll

Trajnerë e lojtarë të ekipeve pjesëmarrëse në “Final 4” të Ligës Ballkanike të enjten mbajtën një konferencë të përbashkët për media. 

Prej katër skuadrave pjesëmarrëse në fazën finale të Ligës Ballkanike, që zhvillohet nga 12 deri më 14 prill në Limassol të Qipros, janë Sigal Prishtina dhe Peja. Dy skuadrat e tjera janë AEL-i qipriot dhe KK Lovqeni i Malit të Zi.

Gjysmëfinalet luhen të premten ndërsa finalja të dielën.  Te Sigal Prishtina dhe Peja kërkojnë suksesin në Ligën Ballkani.

Sigal Prishtina e mbylli stinorin e rregullt në vendin e parë me gjashtë fitore e dy disfata. AEL-i i dyti me pesë fitore e tri disfata në vendin e dytë, njësoj si Peja në vendin e tretë. I katërti stinorin e rregullt e mbylli Lovqeni me katër fitore e katër disfata. Në ligën me pesë skuadra në vendin e fundit të stinorit të rregullt përfundoi Plevla që pësoi tetë disfata nga po aq ndeshje të luajtura. 

Sigal Prishtina ballafaqohet me Lovqenin të premten në gjysmëfinalen e parë që nis në orën 18:00, ndërsa Peja takohet me AEL-in nga ora 20:30.  

Trajneri i Sigal Prishtinës, Albert Sylejmani, ka thënë se nuk do të ketë ndeshje të lehta. 

“E falënderojmë AEL-in për organizimin dhe pritjen. Jemi gati të përballemi me skuadra të tilla. Kemi ardhur këtu por ne do ta respektojmë kundërshtarin e parë, Lovqenin. Të katër ekipet janë të forta”, ka thënë Sylejmani të enjten në konferencën për shtyp. 

Liga Ballkanike edicionin e parë e organizoi në sezonin 2008/2009.  

Prej asaj kohe Sigal Prishtina është dy herë fituese e kësaj gare, në edicionin 2014/15 dhe 2015/16. Tani e synon edhe trofeun e tretë. 

Lovqeni ishte nënkampion i edicionit të dytë.   

“E kemi fituar Ligën Ballkanike dy herë dhe kemi ardhur këtu për trofeun e tretë. “Është e rëndësishme për ne dhe u uroj fat të gjithëve”, ka theksuar kapiteni i “bardhekaltërve”, Dardan Berisha.  

Kampionia e Kosovës Peja edicionin e kaluar doli nënkampione e Ligës Ballkanike. 

U mposht në finale nga Hapoel Be’er Sheva. 

Peja sivjet synon ta fitojë Ligën Ballkanike. 

“Jemi këtu për të arritur në finalen e dytë rresht. Është ndeshje që nuk mund të parashikohet. Ju faleminderit për pritjen!”, është shprehur trajneri i Pejës, Rami Hadar. 

Qendra Lis Shoshi tregoi po ashtu se Peja ka për synim trofeun e parë në histori të kësaj gare. 

“Jemi të lumtur që kemi arritur në këtë garë. Dëshirojmë të fitojmë. E dimë që AEL-i do ta ketë edhe përkrahjen e tifozëve, por ne do të provojmë të fitojmë”, ka deklaruar Shoshi. 

AEL-i qipriot po e synon trofeun e parë të Ligës Ballkanike po ashtu. 

“Mirë se vini në qytetin tonë! Shpresoj të kemi ndeshje të forta dhe interesante në ‘Final 4’. Ekipi ynë është i përgatitur edhe për finalen e madhe me ndihmën e njerëzve tanë”, është shprehur trajneri i skuadrës qipriote, Kalia Papadopoulos. 

Ndeshje interesante dhe më të mirën nga lojtarët e ekipeve pjesëmarrëse pret edhe udhëheqësi Shay Shtriks.