Le Bron James kthehet në Lojëra Olimpike pas 12 vjetësh. Stephen Curry do të jetë në Olimpiadë për herë të parë. Kevin Durant do të shkojë atje me synim për të shkruar histori.
Dhe këta të tre janë vetëm një pjesë e ekipit të jashtëzakonshëm të SHBA-së për Lojërat Olimpike “Parisi 2024”.
Federata amerikane e basketbollit të mërkurën bëri publik ekipin që do ta përfaqësojë SHBA-në në garën e basketbollit në Lojëra Olimpike. Në ekip janë: LeBron James, Stephen Curry, Kevin Durant, Bam Adebayo, Devin Booker, Joel Embiid, Jayson Tatum, Anthony Davis, Jrue Holiday, Tyrese Haliburton, Anthony Edwards dhe Kawhi Leonard.
“Ne ia japim vetes një shans për të fituar me këtë cilësi që kemi”, ka thënë drejtori menaxhues i “USA Basketball”, Grant Hill, për NBC.
“Do të jetë entuziazmuese. Do të jetë vështirë. Nuk do të jetë lehtë. Kemi respekt të madh për të gjitha ekipet e tjera. Por qartë, kjo do të jetë një përbërje ikonike”.
Shtatë lojtarë të këtij ekipi ëndrrash i kanë të fituara dhjetë medalje të arta olimpike. Durant i ka tri, James dy, ndërsa pesë lojtarë të tjerë nga një.
12 lojtarët e përzgjedhur këtë edicion kanë mesatare të përbashkët prej 24,2 pikëve, 7 kërcimeve e 5,6 asistimeve për ndeshje.
“Është nder i madh të prezantosh vendin tënd”, ka thënë Adebyo. “Për mua të jem në këtë grup prej 12 lojtarësh, në grupin e 12 lojtarëve që i vlerësojnë më të mirët për ta prezantuar SHBA-në, është e jashtëzakonshme”.
Cilësia në këtë grup lojtarësh është e madhe. Shtatë prej tyre kanë përfunduar stinorin në mesin e 15 shënuesve më të mirë të NBA-së për ndeshje. James është koshashënuesi më i mirë në histori, Curry më i miri në histori në shënimet për tri pikë. Dhjetë prej tyre ishin në ndeshjen e yjeve të NBA-së këtë edicion.
“Synimi është të fitojmë të artën. Ata e dinë këtë”, ka thënë Hill.
Amerikanët kanë fituar katër medaljet e fundit të arta olimpike dhe janë në pozitën e parë në ranglistën e FIBA-s, ndonëse kanë dështuar të fitojnë medalje në dy Botërorët e fundit. Përfunduan në vendin e shtatë në Kinë në vitin 2019 dhe në vendin e katërt në Manila verën e kaluar.
Franca, Gjermania, Serbia e Kanadaja vlerësohet se kanë gjasa për të artën në Paris. Por asnjë përfaqësuese nuk i ka yjet e nivelit të SHBA-së.
“Shpresa qëndron në faktin se ata nuk kanë luajtur së bashku në të kaluarën”, ka thënë kanadezi Kelly Olynyk.
Plani është që amerikanët të fillojnë me kampin e parë herët në korrik në Las Vegas. Durant që vitin e kaluar kishte deklaruar se planifikon të luajë. Ai synon të bëhet basketbollisti i parë me katër të arta olimpike. Ai dhe Carmelo Anthony janë basketbollistët e vetëm me tri të arta olimpike. James kërkon medaljen e katërt, pasi ka një të bronztë e dy të arta. Davis, Adebayo, Booker, Tatum dhe Holiday kanë të arta po ashtu.
Curry do të luajë në Olimpiadë për herë të parë, njëjtë si Leonard dhe Embiid. Embiid zgjodhi vjet të luante për SHBA-në pasi u bë shtetas amerikan. Lojtari nga Kameruni ka mundur të zgjidhte edhe Francën.
SHBA-ja ka luajtur në Lojëra Olimpike 19 herë. Ka 16 medalje të arta, një të argjendtë e dy të bronzta. Trajner i ekipit do të jetë Steve Kerr.