Agjencia e Kosovës për Antidoping ka realizuar gjithsej 117 testime për kontrollin e dopingut gjatë vitit 2024.
Testimet janë realizuar në futboll, basketboll, hendboll, volejboll, çiklizëm, xhudo, karate, atletikë, mundje, triatlon, not, boks, skitari, shigjetari, shenjëtari sportive, paraatletikë dhe taekwondo.
Nga testimet që janë bërë nga Agjencia e Kosovës për Antidoping janë gjetur dy shkelje të rregullave kombëtare antidoping dhe Kodit Botëror Antidoping.
“Shkeljet kanë ndodhur nga dy basketbollistë dhe janë identifikuar nga testimet e bëra gjatë testimeve në gara, përkatësisht në Superligën e basketbollit. Rastet janë bërë publike konform Rregullave Kombëtare Antidoping, Ligjit për Antidopingun dhe Kodit Botëror Antidoping. Procesi i menaxhimit të rezultateve për të dy shkeljet është përmbyllur në shkallën e parë dhe nuk ka pasur procedura ankimore të mëtejme në shkallë të tjera. Janë iniciuar tri raste hetimore për identifikimin e shkeljeve të supozuara të rregullave antidoping, njëra ishte nga raportimet anonime në aplikacionin në webfaqe dhe dy të tjerat me vetë procedurat e KosADA. Gjatë vitit 2024 janë shqyrtuar dy aplikime të sportistëve për përdorimin e përjashtuar terapeutik”, shkruan në raportin e Agjencisë Antidoping të Kosovës.
Raporti do t’u prezantohet delegatëve gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Komitetit Olimpik të Kosovës.
Aktualisht Agjencia Antidoping si institucion ekzekutiv nuk është funksional sipas Ligjit për Antidoping. Të gjitha funksionet e zbatimit të Kodit botëror Antidoping, testimet për kontrolle të dopingut, monitorimin e shkeljes potenciale të rregullave antidoping, dhënien e lejeve për përdorimin e përjashtuar terapeutik, menaxhimin e rezultateve dhe edukimin e komunitetit për antidoping e kryen Komisioni për Antidoping në Komitetin Olimpik të Kosovës.