Basketboll

Donçiqi frymëzon Dallasin për fitore në Oklahoma, Bostoni në finale të Lindjes

Luka Donçiq

Dallas Mavericks ka fituar në udhëtim te Oklahoma Thunder 104:92 dhe ka marrë epërsinë e serisë 3:2 në gjysmëfinale të Konferencës së Perëndimit. Skuadra që shënon katër fitore kalon tutje.

Luka Donçiq udhëhoqi Dallasin drejt fitores ndaj skuadrës më të mirë në Perëndim në sezonin e rregullt. Slloveni pati “triple-double” me 31 pikë, 11 asistime dhe 10 kërcime, ndërsa Derrick Jones shtoi 19 dhe Kyrie Irving e përfundoi ndeshjen me 12 pikë, katër asistime dhe dy kërcime.

Për Thunder, Gilgeous-Alexander ishte më i miri me 30 pikë, tetë asistime dhe gjashtë kërcime, ndërsa Chet Holmgren shtoi 13 pikë e katër kërcime.

Krahas kësaj u luajt edhe ndeshja e pestë e gjysmëfinales së Lindjes, në të cilën Boston Celtics mposhti Cleveland Cavaliersin me rezultat 113:98 dhe kaloi në finalen e konferencës me rezultat të përgjithshëm 4:1.

Jayson Tatum udhëhoqi Bostonin ata drejt fitores me 25 pikë, 10 kërcime dhe nëntë asistime, ndërsa lojtari më efektiv i takimit ishte Evan Mobley i Clevelandit me 33 pikë, shtatë kërcime dhe katër asistime.