Basketboll

Derbi në Prishtinë e në Pejë

Basketboll

Dy kryendeshje zhvillohen në kuadër të xhiros së 13-të të Superligës së Kosovës në basketboll. Është kjo xhiroja e parafundit për këtë vit, ndërsa ndeshjet derbi në program janë të shtunën.

Fillimisht nga ora 17:00, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, është ndeshja mes Sigal Prishtinës dhe Bashkimit.

Pikët vlerësohen me shumë rëndësi për të dy skuadrat. Prishtina është e pesta me gjashtë fitore e pesë humbje, ndërsa e ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Prishtina është në seri prej dy humbjeve në Superligë. U mposht nga Trepça në kryeqytet dhe nga Peja në “Karagaçi”. Në mesjavë fitoi në Ligën Unike.

Në moment edhe më të keq është Bashkimi, që ka humbur tri prej katër ndeshjeve të fundit kampionale. Ndërkohë pësoi edhe në Ligën Unike. Në Superligë, ekipi prizrenas është i dyti me bilanc prej tetë fitoreve e katër humbjeve.

Te Prishtina janë bërë ndryshime gjatë javës. Janë larguar dy të huaj, ndërsa është angazhuar Ricky Tarrant.

 Po të shtunën është derbi i madh mes Pejës dhe Trepçës. Kjo ndeshje fillon në ora 19:00 dhe zhvillohet në “Karagaçi”.

Peja është në vendin e katërt me gjashtë fitore e gjashtë humbje. Kampionia në fuqi, Trepça, udhëheq në tabelë me bilanc prej dhjetë fitoresh e dy humbjesh. Skuadra mitrovicase është në seri prej tetë fitoreve në kampionat.

Trepça po ashtu bëri ndryshime në përbërje. U nda me Desmond Cambridge, ndërsa firmosi me fundorin Tekele Cotton.

Te Peja do të debutojë trajneri i ri, slloveni Sebastjan Krasovec. Ai nisi punën në fillim të javës, ndërsa është trajneri i tretë këtë edicion.

Rivalitet pritet të ketë edhe në dy ndeshjet e së dielës. Nga ora 17:00 takohen Bora e Proton Cable Prizreni, ndërsa ndeshja Golden Eagle Ylli – Vëllaznimi zhvillohet prej orës 19:00.

Superliga në basketboll – XIII

E shtunë

Sigal Prishtina – Bashkimi (17:00)

Peja – Trepça (19:00)

E diel

Bora – Proton Cable Prizreni (17:00)

Golden Eagle Ylli – Vëllaznimi (19:00)

1 Trepça               12           22

2. Bashkimi         12           20

3. G.E. Ylli             12           19

4. Peja  12           18

5. S. Prishtina     11           17

6. Vëllaznimi      12           17

7. P.C. Prizreni   12           15

8. Bora  11           13