Arian Kera ishte njëri prej tre gjyqtarëve të ndeshjes mes Sigal Prishtinës dhe Borës. Ndeshja e fundjavës i takoi Superligës së Kosovës në basketboll dhe u fitua nga Prishtina. Ndeshja u vendos vetëm në aksionet e fundit, ndërsa Kera nuk e ka kryer punën mirë.
Për “ndarje jo të mirë të drejtësisë” me tri ndeshje mosdelegim është dënuar gjyqtari Kera. Kjo bëhet e ditur në vendimet e komisionit të garave të FBK-së, të publikuara të mërkrurën.
Nga Bora është pretenduar për dëmtim nga ana e gjyqtarëve dhe vendimi i komisionit të garave konfirmon se ndarja e drejtësisë nuk ishte në nivel.
Janë gjobitur edhe klubet e Superligës. Bora është dënuar me 500 euro, Bashkimi me 1000 euro dhe Peja me 700 euro. Bora i kishte vetëm tetë lojtarë në përbërje, në ndeshjen e Bashkimit me Vëllaznimin janë evidentuar fyerje në kor të shikuesve ndaj ekipit mysafir dhe gjuajtje të gjësendeve në drejtim të Vëllaznimit, ndërsa në Pejë kishte fyerje në kor ndaj trajnerit të Proton Cable Prizrenit, Arbnor Rifati.
Në fakt në ndeshjen Bashkimi – Vëllaznimi ka pasur edhe incidente në tribuna dhe për këtë arsye fillimi i çerekut të dytë ishte shtyrë për shumë minuta.