PJ Washington shënoi 4.5 sekonda pa u mbyllur takimi të cilin Dallas Mavericks e fitoi ndaj Golden State Warriors, 108:106.
Mavericks, që ishte pa sllovenin Luka Donçiq, ishte duke udhëhequr me rezultatin 105:99.
Por, Stephen Curry i barazoi shifrat për Warriorsin në 106:106.
Washington më pas shënoi pikët e fundit në ndeshje, kurse Klay Thompson dështoi më pas nga vija për tri pikë për Warriorsin, që pësoi disfatë për herë të parë pas gjashtë fitoreve rresht.
Washington e mbylli takimin me 32 pikë, kurse koshashënuesi më i mirë te Warriorsi ishte Curry, me 28 pikë.
Fitore në sekondat e fundit të ballafaqimit ka shënuar edhe Boston Celtics.
Xavier Tillman realizoi pikë kur kishin mbetur edhe 7.4 sekonda lojë, në fitoren ndaj Sacramento Kingsit me rezultatin 101:100.
Celtics ishte duke udhëhequr me 19 pikë gjatë çerekut të katërt, por seria 16:1 e ktheu Kingsin në lojë.
De’Aaron Fox e mbylli ndeshjen me 40 pikë për Kingsin, përfshirë shtatë trepikësha, kurse i dha epërsinë ekipit të tij 100:99, 27 sekonda para fundit.
Por Tillman e ktheu epërsinë te skuadra e tij që e fitoi ndeshjen e 61-të të sezonit.
Milwaukee Bucks që ishte pa Giannis Antetokounmpon, u mposht 117:111 nga Toronto Raptors, që e ndali serinë e 15-të ndeshjeve rresht me disfata.
Fitore kanë shënuar edhe Phoenix Suns që mposhti Minnesota Timberwolvesin 97:87 dhe Indiana Pacers, që fitoi 126:112 ndaj Oklahoma City Thunder.