Dallas Mavericks e ka mposhtur skuadrën Los Angeles Clippers të premten pas mesnate dhe ka siguruar avancimin tutje pasi e ka fituar serinë e raundit të parë të plejofit të NBA-së 4:2.
Kyrie Irving i realizoi 28 pikë në pjesën e dytë nga 30 pikët sa i pati në total për Dallasin.
Me fitoren 114:101, Dallas Mavericks ka siguruar gjysmëfinalen e Konferencës së Perëndimit kundër Oklahoma City Thunderit.
Slloveni Luka Donçiq i shënoi 28 pikë, ndërsa kontribuoi edhe me 13 asistime e shtatë kërcime.
Në ndeshjen tjetër, Orlando Magic fitoi 103:96 kundër Cleveland Cavaliers në raundin e parë të plejofit në Lindje, për ta barazuar serinë në 3:3.
Skuadra që do ta fitojë ndeshjen e radhës, do të avancojë tutje.
Donovan Mitchell realizoi 50 pikë për “kalorësit”, por nuk mjaftuan për duelin kundër Orlandos, që u ndihmua nga paraqitja e mirë e Paolo Bancheros, i cili pati 27 pikë të realizuara.
Kontribut në fitoren e Orlandos dha edhe Franz Wagner me 26 pikë të tjera.
Ndeshja vendimtare e këtij ballafaqimi do të luhet të dielën.
Fituesi do të përballet me Boston Celticsin.