Golden Eagle Ylli nuk përfitoi nga përkrahja e shikuesve në ndeshjen e parë çerekfinale të plejofit ndaj Pejës. Të enjten e javës së kaluar humbi në Suharekë me rezultatin 77:71. Nga përkrahja e tifozëve nuk përfitoi as Peja, që humbi të dielën në “Karagaçi” me rezultatin 75:66.
Kështu rezultati është 1:1, ndërsa ndeshja vendimtare për kualifikim në gjysmëfinale të plejofit në Superligën e Kosovës zhvillohet në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, të enjten, nga ora 19:00.
Këtë herë pa shikues në tribuna. Ylli është dënuar që tri ndeshjet e ardhshme si vendas t’i luajë pa shikues në palestër për shkak të problemeve që ndodhën në çerekfinalen e parë. Kishte fyerje të tifozëve ndaj lojtarëve të Pejës e më pas edhe hedhje të gjësendeve të forta. Arbitrat kërkuan që skuadrat të shkojnë në zhveshtore, ndërsa rrugës për në zhveshtore, lojtari i Pejës, Tristan Ipke, u godit me një karrige nga një shikues vendas, që ishte në parket. Ndeshja më pas u ndërpre për 40 minuta, por megjithatë vazhdoi. U zbraz vetëm njëra prej dy tribunave.
Ka pasur paqartësi nëse ndeshja e tretë do të luhej në Suharekë apo në ndonjë qytet tjetër. Por FBK-ja sqaroi se Ylli është dënuar me tri ndeshje pa shikues e jo me tri ndeshje jashtë palestrës në Suharekë.
Ndeshja pa shikues shkon në favor të Pejës. Por suharekasit shpresojnë të përfitojnë nga momenti i mirë. Të dielën në Pejë, Ylli e kontrolloi gjithë ndeshjen. U dalluan Jalen Nesbitt, Derrick Wilson e Jan Palokaj. Te Peja me lojë të mirë ishte dalluar Amin Hot.
Ylli ishte në seri prej shtatë fitoreve në kampionat, para humbjes së pësuar të enjten e kaluar në shtëpi. Formën e mirë e ktheu në ndeshjen e dytë. Ylli e ka përparësinë e terrenit në ndeshjen vendimtare, pasi stinorin e rregullt e përfundoi në pozitë më të mirë se Peja. Ylli ishte i katërti, kurse Peja e pesta.
Fituesi i kësaj çerekfinaleje në gjysmëfinale përballet me Bashkimin e Prizrenit. Ndeshja e parë gjysmëfinale është të dielën në “Sezai Surroi”.