Basketboll

Capers: Të kënaqur vetëm pasi ta fitojmë kampionatin

Kevin Capers

Kevin Capers nuk startoi te Trepça, por në fund i kishte statistikat bindshëm më të mira në ndeshjen e tretë finale të plejofit ndaj Golden Eagle Yllit. Amerikani me përvojë e përfundoi ndeshjen e së enjtes mbrëma me 19 pikë, shtatë kërcime e shtatë asistime. 

Trepça fitoi në “Minatorim” e stërmbushur me rezultat 85:78 dhe tani udhëheq 2:1 në serinë finale të plejofit. I duhet edhe një fitore për të siguruar titullin e kampionit që e pret nga viti 2012.

Ndeshja e katërt është të dielën nga ora 17:00 në Suharekë. Me fitore, Trepça shpallet kampione. Me fitore të Yllit, kampionin e përcakton ndeshja e pestë që do të zhvillohej në Mitrovicë të enjten e ardhshme.

“Jemi të gatshëm për ndeshjen në Suharekë. Synimi është ta fitojmë titullin atje. Nëse i përmbahemi planit të trajnerit mendoj se do të jemi në rregull”, ka thënë Capers për KOHËN, të premten.

Fundori Capers te Trepça erdhi në fund të dhjetorit. 31-vjeçari ka vënë në dispozicion të ekipit mitrovicas përvojën e fituar në SHBA, Meksikë, Rumani, Islandë, Hungari e Izrael. Para se t’i bashkohej Trepçës, Capers luajti për skuadrën izraelite, Maccabi Ironi Ramat Gan.

Trepça i është afruar titullit të shumëdëshiruar, por Capers beson se skuadra ka potencial për më shumë.

“Mendoj se mund të luajmë më mirë. Nuk do të jemi të kënaqur derisa ta fitojmë kampionatin”, thotë amerikani.

Ai ka fituar Kupën e Kosovës dhe Ligën Unike me Trepçën.

“Vendimi për të ardhur te Trepça ishte shumë i mirë. Ekip i shkëlqyer dhe njerëz të shkëlqyer në gjithë organizatën. Po ashtu, tifozët më të mirë në vend. Kam ardhur që të luaj basketboll fitues dhe këtë jemi duke e bërë”, ka shtuar Capers.

Trepça po ka përkrahje shumë të madhe në ndeshjet në shtëpi. “Minatori” ishte i stërmbushur me tifozë gjatë gjithë edicionit. Ndikimin e madh të tifozëve e ka pranuar edhe Capers, që tashmë është prej më të pëlqyerve.

“E çmoj përkrahjen që kemi. Përpara ‘Torcida’”, thotë Capers.

Ai po luan me mesatare prej 8,9 pikëve, 3,4 kërcimeve e 4,7 asistimeve. Por po shquhet në ndeshjet e rëndësishme dhe kjo është prej arsyeve që e sollën mitrovicasit.