Adis Beqiragiq të premten është larguar nga Kosova. Por do të kthehet sërish. Dhe do ta vazhdojë punën me Trepçën. Për të ardhmen nuk flet shumë. Është koha për të shijuar suksesin e edicionit 2023/2024, që përfundoi vetëm të enjten mbrëma.
Për Trepçën dhe për trajnerin boshnjak sukseset ishin të vazhdueshme. Dhe rrjedhimisht edhe të shumta. Trepça të enjten e siguroi titullin e kampionit të Kosovës në basketboll, që e ka pritur që nga viti i largët 2012. Gjithsej skuadra mitrovicase tani i ka pesë tituj. Më herët “xehetarët” fituan Superkupën e Kosovës, Kupën e Kosovës dhe titullin e kampionit në Ligën Unike. Pra, i fituan të gjitha katër garat vendore, duke përfshirë Ligën Unike, që është e përbashkët me Shqipërinë.
Beqiragiq ishte angazhuar nga Trepça për ta fituar titullin e kampionit. Dhe misionin e kompletoi me sukses të plotë. Me katër trofe, ndër të tjera.
“Asnjëherë nuk e nisi punën me synimin për të fituar gjithë trofetë, apo që të fitojmë vazhdimisht. Si trajner angazhohem që të bëj maksimumin me skuadrën që kam në dispozicion. Kjo ndonjëherë është e mjaftueshme për një trofe e ndonjëherë për asnjë. Ndonjëherë, si tani, për katër trofe. Por e rëndësishme është që të bëjmë maksimumin. Dhe mendoj që këtë e kemi bërë te Trepça”, ka thënë Beqiragiq të premten në një intervistë për KOHËN.
Beqiragiq është edhe selektor i Bosnjë-Hercegovinës. Ka kryer dy punët njëkohësisht, trajner i Trepçës, selektor i Bosnjë-Hercegovinës. Edhe te Bosnja vlerësohet. Por në Mitrovicë dhe në basketbollin kosovar vlerësohet maksimalisht. Këtë e ka arritur me punë e me suksese.
Kur kryhet puna mirë, thotë Beqiragiq, atëherë synohen sa më tepër fitore. Dhe trofe po ashtu. Fitoret e Trepçës ishin të shumta. Në pjesën e rregullt të kampionatit i kishte vetëm tri humbje. Në plejof i humbi vetëm dy ndeshje nga Ylli. Humbje kishte në garat evropiane, por jo në garat e tjera vendore.

Në finale të plejofit, Trepça e mposhti Golden Eagle me rezultatin 3:2. Në ndeshjen e fundit, të enjten në “Minatorin” e stërmbushur, dallimi ishte vetëm një pikë në të mirë të Trepçës. Beqiragiq nuk është i kënaqur me paraqitjen e skuadrës në finale.
Por çka e vendosi finalen?
“Terreni vendas para së gjithash. Si ne ashtu edhe Ylli e kemi shfrytëzuar terrenin vendas. Ky ishte dallimi kryesor, paraqitja para tifozëve tanë në ndeshjen vendimtare. Finalja ka dëshmuar se sa i rëndësishëm është terreni vendas, përkrahja nga tifozët. Këtë e kemi arritur duke investuar gjithë vitin, para e mund. Kemi dominuar gjithë edicionin në kampionat, kishim vetëm tri humbje dhe kështu siguruam pozitën e parë për plejof. Dhe ajo u konfirmua që është shumë e rëndësishme. Nuk kemi luajtur mirë, nuk jam i kënaqur me paraqitjet në finale. Por jemi bërë kampionë. Kjo ka më së shumti rëndësi. Dhe me titull të kampionit kemi përmbyllur një edicion shumë të suksesshëm për të gjithë ne”, ka thënë 54-vjeçari nga Sarajeva.
Si lojtar, Beqiragiq bëri karrierë në skuadra boshnjake dhe në Bosnjë-Hercegovinë. Si trajner nisi në Turqi. Ishte ndihmës te Galatasaray e më pas drejtoi ekipet si Kepez Belediyesi, Darushafaka, Gaziantep. Konyaspor e Ushak Sportif.
Në vitin 2020 erdhi te Peja. Më pas drejtoi Yllin ku arriti suksese të mëdha. Prej një viti është te Trepça, ku po ashtu vazhdoi me suksese kulmore.
“Ka katër vjet që jam në Kosovë dhe liga është gjithnjë e më e fortë. Cilësia sa shkon e rritet. Trepça është lidere në këtë rritje. Drejtuesit e klubit kanë bërë dhe po bëjnë një punë të jashtëzakonshme. Trepça si organizatë funksionon në mënyrën më të mirë të mundshme. Çdo gjë është në vendin e vet. Mund të them se për nga organizimi, Trepça është prej klubeve më të mira në Ballkan. Po, po, prej klubeve më të mira të Ballkanit”, thotë Beqiragiq.
Synimet e Trepçës janë për rritje të mëtejme si klub. Pasi fitoi gjithë trofetë, rritja mund të shtrihet në më tepër sukses në Evropë. Dhe kjo synohet sërish me Adis Beqiragiqin.
“Nuk ka ende asgjë zyrtare. Por është e vërtetë që kemi diskutuar për vazhdim të bashkëpunimit. Drejtuesit e klubit dhe unë kemi paraqitur kërkesat tona. Gjasat janë shumë të mëdha që të vazhdojmë së bashku”, thotë Beqiragiq.
Si profesionist që është, ai nuk konfirmon diçka nuk është bërë ende zyrtare, ndonëse marrëveshja është e kryer. Në mes të verës Beqiragiq pritet të jetë sërish në Mitrovicë, për dëshirën e tifozëve të zjarrtë të këtij klubi që palestra “Minatori” nuk i zë.