Basketboll

Basketboll: Një derbi të shtunën, një të dielën

KB Prishtina

Me derbin e madh mes Sigal Prishtinës dhe Pejës hapet xhiroja e pestë e Superligës së Kosovës në basketboll.

Kjo ndeshje zhvillohet të shtunën nga ora 17:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit.

Prishtina është në seri prej tri fitoreve, ndërsa në xhiron e kaluar e mposhti Trepçën në Mitrovicë. Skuadra prishtinase është e dyta në tabelë me shtatë pikë. Peja ka dy fitore e dy humbje dhe me gjashtë pikë renditet e katërta.

Peja në xhiron e kaluar humbi në shtëpi nga Ylli.

Të premten punën te Peja e nisi trajneri irlandez Daniel Nelson, që zëvendësoi Rami Hadarin. Nelson disa vjet më parë udhëhoqi Rahovecin.

Të shtunën prej orës 19:00 është ndeshja mes Borës e Vëllaznimit.

Derbi tjetër i xhiros së pestë zhvillohet të dielën nga ora 17:00. Në Suharekë takohen Golden Eagle Ylli e Bashkimi.

Ylli ka gjashtë pikë në vendin e gjashtë, përkatësisht bilanc prej dy fitore e dy humbje. Bashkimi ka fituar katër ndeshjet e deritashme dhe udhëheq në tabelë me tetë pikë. Skuadra prizrenase udhëton për tjetër fitore, por suharekasit kërkojnë pikët për vete.

Xhiroja mbyllet me ndeshjen Proton Cable Prizreni – Trepça, që është të dielën nga ora 19:00. Trepça është në seri prej tri humbjeve dhe këtë krizë shpreson ta shfrytëzojë skuadra prizrenase.