Basketbollistet e Bashkimit festuan gjatë të martën mbrëma. Kishin arsye.
Skuadra prizrenase shkroi histori duke i fituar për herë të dytë rresht tre trofetë e basketbollit kosovar - Superkupën, Kupën dhe titullin e kampionit.
Titullin e kampionit për edicionin 2023/2024, Bashkimi e siguroi në palestrën “Sezai Surroi”. E mbylli serinë finale të plejfoit me rezultatin e përgjithshëm 3:0. Në finale mposhti Prishtinë.
Kryetari i klubit, Rrahman Përteshi thotë se rruga për ta fituar “tripletën” nuk ka qenë e lehtë.
“Sigurisht, ideja ka qenë ta mbrojmë ‘tripletën’ dhe të shkruajmë historinë gjë që edhe e arritëm. Por nuk ishte aspak e lehtë. Përfundimisht ky edicion ishte më i vështirë dhe i fortë, por ne ia dolëm falë grupit, punës së shtabit teknik dhe lojtareve që nuk kursyen asgjë nga vetja”, ka thënë Përteshi të mërkurën për KOHËN.
Ai thotë se puna e përbashkët ka sjellë rezultat në fund.
“Është ndjenjë e mirë kur e konfirmon dominimin për vitin e dytë rresht dhe gjashtë trofe vetëm janë vula e punës sonë”, ka theksuar ai.
Përteshi vlerëson lojtaret vendore, ndërsa fjalë të mëdha ka dhënë edhe për basketbollistet e huaja.
Merita të mëdha i ka dhënë edhe trajnerit kroat, Viktor Kovaq.
“Dallimi është bërë te lojtaret vendore, pasi kemi ruajtur boshtin e ekipit të edicionit të shkuar dhe angazhuam të huaja cilësore. Krahas tyre, merita të mëdha ka edhe trajneri, i cili udhëhoqi ekipin drejt suksesit”, ka shtuar Përteshi.
Për Bashkimin ishte titulli i tetë, ndërsa u bë skuadra e parë e basketbollit kosovar që mbrojti tre trofetë.
Por për klubin prizrenas mbetet sfiduese paraqitja në Evropë, përkatësisht “FIBA Europe Cup”.
“Ka kohë që e mendojmë daljen në arenën ndërkombëtare dhe dyert i kishim të hapura, por duhet përkrahje më e madhe financiare. Nëse gjendet ndonjë sponsor, atëherë ne jemi gati për ta testuar veten edhe në këto gara”, ka thënë kryetari i klubit, Rrahman Përteshi.
Bashkimi në fund të edicionit u paraqit me tri amerikane. Analyss Banally, Sarah Mgbeike dhe Adrienne Godbold luajtën rol të rëndësishëm në suksesin e prizrenaseve. Ka shkëlqyer sidomos Godbold. Ajo në ndeshjen e fundit realizoi 26 pikë e 11 kërcime. Mgbeike i kishte 10 pikë e 15 kërcime.
“Jam krenare dhe e lumtur me suksesin e arritur te Bashkimi, pasi ka gati katër vjet që luaj në Kosovë dhe tre trofe brenda një edicioni, është e jashtëzakonshme. Kemi dominuar totalisht dhe jam e lumtur që me bashkëlojtaret ia dolëm. Meritat për këtë sukses i ka edhe trajneri që punoi fort, e po ashtu kryesia”, ka thënë Mgbeike.
Bashkimi e humbi vetëm një betejë – finalen e Ligës Unike.