Basketboll

Bashkimi në kërkim të fitores së shtatë, Pejës i kthehet Dardan Berisha

ba

Bashkimi realizoi fitore ndaj Trepçës, Vëllaznimit, Proton Cable Prizrenit, Borës, Golden Eagle Yllit e Sigal Prishtinës. Pra, ka gjashtë fitore nga po aq ndeshje të luajtura në fillim të edicionit të Superligës së Kosovës në basketboll. Tjetër fitore Bashkimi kërkon të shtunën ndaj Pejës, me të cilën ende nuk është ballafaquar këtë edicion. Peja – Bashkimi e shënon edhe derbin e xhiros së shtatë dhe zhvillohet në palestrën “Karagaçi” në Pejë nga ora 19:00. Bashkimi i prin tabelës me 12 pikë, ndërsa në vendin e dytë e të tretë me nga katër fitore e dy humbje janë Trepça e Sigal Prishtina. Tri fitore e po aq disfata ka Golden Eagle Ylli në vendin e katërt me nëntë pikë, kurse Peja, Vëllaznimi dhe Proton Cable Prizreni me nga tetë pikë, kanë nga dy fitore e katër humbje. Në vendin e fundit është Bora me vetëm një fitore e pesë humbje.

Kapiteni i Bashkimit, Altin Morina, e ka vlerësuar Pejën dhe pret ndeshje shumë të vështirë. Ai thotë se atmosfera pritet të jetë e zjarrtë të shtunën mbrëma në “Karagaçi”, por shton se grupi është i përgatitur maksimalisht për të marrë një tjetër rezultat pozitiv.

“Në këtë edicion kemi tjetër synim dhe tjetër fytyrë. Për ne është shumë pak e rëndësishme kundër kujt luajmë. Për ne është e rëndësishme ta respektojmë kundërshtarin dhe ta luajmë lojën tonë. Kur në përpikëri zbatojmë atë që thotë trajneri, unë nuk brengosem fare në cilën palestër luajmë, as për rezultatin e lojës. Jam i bindur se seria e fitoreve do të vazhdojë edhe në Pejë”, ka deklaruar Morina, që është shumë i kënaqur me punën e bërë nga trajneri Darko Raduloviq. Peja ndërkohë udhëhiqet nga trajneri Daniel Nelson, i cili e zëvendësoi në këtë post trajnerin Rami Hadar që dha dorëheqje.

Te Peja, pas dy edicioneve të kaluara te Sigal Prishtina, në skuadër është kthyer njëri prej basketbollistëve më të mirë vendorë, Dardan Berisha. Berisha është edhe prej basketbollistëve më të dekoruar e me përvojë të madhe si në skenën vendore ashtu edhe në atë ndërkombëtare.

Berisha të premten tha se ende nuk është në formën më të mirë fizike pas pauzës së gjatë. Megjithatë, ai pritet të ketë minutazhë dhe do të jetë ndihmesë për skuadrën pejane.

“Unë ende nuk jam i përgatitur për lojë, por shpresoj që t’i ndihmojë ekipit sadopak. Shpresoj që të ketë lojë të mirë dhe atmosferë të mirë. Besoj se me ndihmën e tifozëve mundemi t’ia ndalim hovin e Bashkimit edhe pse nuk do të jetë aspak e lehtë”, ka deklaruar Berisha.

Të shtunën, nga ora 17:00, zhvillohet edhe ndeshja mes Borës dhe Trepçës. “Xehetarët”, të cilët edicionin e kaluar i fituan gjitha trofetë në Kosovë, vlerësohen favoritë në këtë ndeshje, pavarësisht se fillimi i sezonit nuk ishte ashtu si pritej për ta.

Të dielën luhet një ndeshje, ajo ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Proton Cable Prizrenit, ndërsa xhiroja mbyllet të hënën me ndeshjen Sigal Prishtina – Vëllaznimi, që nis në orën 19:00.