Basketboll

Bashkimi fajëson sigurimin për incidentin në fund të ndeshjes

Bashkimi

Bashkimi i Prizrenit doli me një komunikatë të hënën mbrëma lidhur me incidentin që ndodhi në fund të ndeshjes me Pejën.

Pesë sekonda para fundit të ndeshjes Bashkimi – Peja, të zhvilluar të dielën mbrëma në “Sezai Surroi” në Prizren, ndodhi një incident i rëndë. U krijua një tollovi në afërsi të fushës së lojës, në ulëset përballë tavolinës zyrtare. Janë shkëmbyer grushte e shtyrje nga persona të ndryshëm, ndërsa u përfshinë shumë. Më pas kishte hedhje të mjeteve shpërthyese në fushën e lojës nga tifozët. Policia ndërhyri shpejtë, ndërsa Bashkimi ka fajësuar pjesëtarët e sigurimit për incidentin.

“Për fat të keq, për shkak të një keqkuptimi dhe një reagimi jo të duhur në menaxhimin e situatës nga ana e sigurimit të brendshëm, i cili është i kontraktuar nga klubi për t’u përkujdesur për sigurinë në sallë, në mënyrë tërësisht të paqëllimshme ndodhi një incident dhe një situatë e papëlqyeshme, vetëm pesë sekonda para përfundimit të ndeshjes kur rezultati ishte i qartë. Këto veprime nuk pasqyrojnë vlerat dhe qëllimet tona sportive”, shkruan në komunikatën e Bashkimit.

Klubi prizrenas, që ka bërë përpjekje maksimal për organizim të mirë këtë edicion, ka thënë se incidenti nuk kishte të bënte me ekipin kundërshtar apo me arbitrat. Bashkimi ka mohuar të ketë pasur sulm ndaj lojtarëve apo gjyqtarëve. Klubi i portokalltë ka shprehur keqardhje për incidentin.

“Kryesia e KB Bashkimi është plotësisht e bashkuar dhe e përkushtuar për të njëjtin qëllim: ngritjen e konkurrencës sportive, forcimin e dashurisë për basketbollin dhe zhvillimin e jetës sportive në qytetin tonë. Në asnjë moment nuk përkrahim energji negative apo veprime që cenojnë vlerat e sportit”, shkruan tutje në komunikatën e Bashkimit.

Pas ndërprerjes së ndeshjes Peja kishte lëshuar një njoftim duke pretenduar se një lojtar i saj është goditur me grusht pas koke. Por më pas klubi pejan e fshiu atë njoftim.

Pasi tifozët u larguan nga palestra, u zhvilluan formalisht pesë sekondat e mbetur. Bashkimi e fitoi ndeshjen dhe udhëheq 2:1 në serinë gjysmëfinale të plejofit. Ndeshja e katërt zhvillohet të enjten në Pejë.