Gjiganti suedez, “Volvo”, shpreson ta rikthejë reputacionin e vet për sigurinë përmes një strategjie teknologjike. Me teknologjinë më të re kompania po planifikon të parandalojë aksidentet nëpër rrugë.
Kompania ka njoftuar në fund të muajit mars se do të instalojë kamera dhe senzorë brenda automobilave të vet në fillim të 2020-s, që do të funksionojnë sikur pajisje monitoruese për nivelin e dehjes apo shpërqendrimit të shoferit, por edhe për të intervenuar në parandalimin e aksidenteve, shkruan sot Koha Ditore.
Masat e sigurisë, të prezantuara në një konferencë nga “Volvo”, kanë nxjerrë në pah planet e publikuara kohë më parë me synim të eliminimit të aksidenteve fatale nëpër rrugë.
Zhvillimi i teknologjisë që mund të përkrahë manovra të tilla është përshpejtuar në vitin e fundit, sidomos me rritjen e fokusit kah automobilat autonomë në industri.
Kompania ka thënë se sistemi funksionon në atë mënyrë që vazhdimisht monitoron shoferin dhe kur të ketë nevojë do të hyjë në funksion edhe pjesa e intervenimit. Sistemi i intervenimit do të hyjë në funksion nëse shihet qartë përmes kamerave dhe senzorëve se shoferi është i dehur apo është i shpërqendruar, dhe nuk po u përgjigjet sinjaleve paralajmëruese si dhe po rrezikon të shkaktojë aksident me përmasa që mund të jenë fatale.
“Volvo” lidhur me këtë është duke krijuar një autopilot për vozitje pa shofer nëpër autostrada me kompaninë prodhuese të pjesëve të automobilave, “Veoneer”, po ashtu nga Suedia. Kjo po bëhet me synimin që të përmbushet caku i caktuar më herët e që automobilat autonomë të zënë një të tretën e shitjeve të të gjithë automobilave të kompanisë deri më 2025. Por drejtori gjeneral i kompanisë, Hakan Samuelsson, ka thënë për “Reuters” se duhen pesë deri në dhjetë vjet para se automobilat e tillë të përhapen në masë. Sipas tij, duhet krijuar një treg të qëndrueshëm për të shitur automobila me veçori shtesë për sigurinë, siç janë monitorimi përmes kamerave përgjatë vozitjes.
“Këto teknologji aktive të sigurisë do të vijnë nga viti 2021... senzorë të mençur, kufizues të mençur të shpejtësisë, senzorë të mençur të monitorimit të humbjes së koncentrimit, senzorë të mençur për dehje. Këto do të vijnë”, ka thënë ai.
Shefi i departamentit për hulumtime dhe zhvillime në këtë kompani, Henrik Green, ka thënë se kamerat do të instalohen në të gjitha modelet e “Volvos” që do të krijohen në platformën “SPA2” për automobila më të mëdhenj, duke nisur nga modeli “XC90 SUV”, në fillim të dekadës së ardhshme, para se t’u shtohet edhe automobilave të vegjël të krijuar në platformën “CMA”.
“Volvo” ka thënë se intervenimi për të parë nëse shoferi i automobilit është i dehur, i lodhur apo i shpërqendruar duke shikuar në telefon mobil – një nga faktorët më të mëdhenj të aksidenteve – mund të përfshijë kufizimin e shpejtësisë së automobilit, të alarmojë shërbimin asistues të “Volvos”, ose të ngadalësojë dhe të parkojë automobilin.
“Kur bëhet fjalë për sigurinë, qëllimi ynë është të shmangim aksidentet në vend që të kufizojmë ndikimin nëse një aksident është i pashmangshëm”, ka deklaruar Green, që është edhe zëvendëspresident i kompanisë. “Në këtë rast, kamerat do të monitorojnë për sjelljet që mund të çojnë në lëndime serioze apo edhe vdekje”.
Sistemi, sipas “Volvos”, do të jetë në gjendje të dallojë shumë sjellje potencialisht të rrezikshme. Këtu përfshihet edhe rasti kur shoferi “shfaq mungesë përqendrimi për mbajtje të timonit për një periudhë të gjatë”, apo kur sytë e tij mbyllen për periudha të konsiderueshme gjatë vozitjes. Teknologjia do të monitorojë po ashtu edhe “kohën e ngadalshme të reagimit” dhe “lëvizjet ekstreme nëpër shiritat rrugorë”.
Sipas të dhënave të Administratës për Siguri në trafik në SHBA, vetëm në këtë vend 30 persona vdesin çdo ditë për shkak të aksidenteve si pasojë e dehjes së shoferëve. Vetëm në vitin 2017 në SHBA vdiqën 10.874 njerëz si pasojë e aksidenteve për shkak të dehjes.
“Ka shumë aksidente që ndodhin si rezultat i shoferëve të dehur”, ka thënë Trent Victor, ligjërues i Sjelljes së Shoferëve në “Volvo”. “Disa njerëz akoma besojnë se mund të vozisin pasi të kenë pirë, dhe se kjo nuk do të ndikojë në aftësitë e tyre. Ne duam të sigurohemi që këta njerëz të mos rrezikohen si rezultat i dehjes”.
Kufizimi i shpejtësisë
Kompania e udhëhequr nga “Geely” e cila ishte e para që gjatë viteve të ’50-a prezantoi rripin e sigurisë me tri kyçje, ka thënë në fillim të marsit se do të prezantojë kufizimin e shpejtësisë në 180 kilometra për orë në automobilat e rinj, në kuadër të vizionit për sigurinë në rrugë.
Samuelsson ka thënë se teksa strategjitë e tilla mund të bëjnë që “Volvo” të humbë klientët që preferojnë shpejtësitë e mëdha, ajo po ashtu hap mundësitë për të bindur prindërit që të blejnë automobila të sigurt për fëmijët e tyre.
“Do të ishte e lehtë të thuhej se njerëzit mund të bëjnë çfarëdo që ata duan, por ne ndiejmë se kemi përgjegjësi për ta bërë këtë. Ndoshta njerëzit do të na shohin neve si ‘Vëllai i madh’, por nëse ne shpëtojmë disa jetë, do t’ia vlente”, u ka thënë ai gazetarëve.
Në një kohë kur prodhuesit po tentojnë të rrisin nivelin e shpejtësisë dhe përshpejtimit, “Volvo” ka bërë përpjekje në drejtimin tjetër. Suedezët kanë paralajmëruar se do të ulin shpejtësinë maksimale në 180 kilometra për orë, për dallim nga 210 km/orë sa ishte deri tani tek automobilat e kompanisë.
Akoma s’është e qartë se si kufizimi në 180km/orë do të reduktojë aksidentet, pasi edhe kjo shpejtësi nuk konsiderohet e ulët. Megjithatë, “Volvo” ka thënë se po hyn në aventura në një hapësirë ku autoprodhuesit hezitojnë të afrohen: Reduktimi i shpejtësisë te automobilat dhe kamionat.
Autoprodhuesi, po ashtu, ka thënë se po konsideron mundësinë që të kufizojë se sa shpejt lëvizin modelet e veta nëpër hapësira të caktuara. Për shembull, kompania po planifikon që të shikojë mundësitë të shfrytëzojë softuerin dhe teknologjinë për të limituar shpejtësinë e “Volvo”-ve kur ato të jenë në afërsi të shkollave dhe spitaleve.
“Ne duam të nisim një temë diskutimi nëse prodhuesit e automobilave kanë të drejtë ose nëse kanë obligim që të instalojnë teknologji nëpër automobila për të ndryshuar sjelljen e shoferëve, për të trajtuar shpejtësinë, dehjen apo shpërqendrimin”, ka thënë Samuelsson.
Mbrojtësit e sigurisë po ashtu kanë bërë më shumë zhurmë së fundmi me arsyetimin se shpejtësia e lartë po bëhet faktor më i madh vrasës nëpër botë. Vetëm në SHBA thuhet se më 2018 kanë vdekur rreth 40 mijë persona si pasojë e aksidenteve.
“Volvo” ka thënë po ashtu se do të prezantojë edhe “çelësat e kujdesit” në automobila nga vitit 2021, duke u mundësuar blerësve të automobilave të caktojnë limitet e shpejtësisë dhe se është duke biseduar me kompanitë e sigurisë për t’u ofruar shfrytëzuesve oferta më të mira për sigurinë.
Të gjitha lëvizjet janë pjesë e “Vizionit 2020” të “Volvos” për të eliminuar fatalitetet ose lëndimet serioze që nga viti i ardhshëm.